Fjala e Presidentes Osmani në Ditën Botërore të Habitateve

Të nderuar të pranishëm,
I nderuar Kryeministër i vendit, z. Kurti,
I nderuar Udhëheqës i Zyrës së UN Habitat në Kosovë, z. Siddique
I nderuar Ministër Aliu,
E nderuar Koordinatore për Zhvillim e OKB-së, znj. Richardson
Të nderuar deputetë, akademikë e përfaqësues të shoqërisë civile,
Zonja dhe Zotërinj,

Është viti 2021 dhe ne jemi vetëm 9 vite larg vitit 2030 – viti kur synojmë që e gjithë bota të gjej veten në një situatë ku gëzojmë mirëqenie më të mirë, standard më të lartë të jetesës, ku varfëria dhe uria do të jenë nën kontroll e pothuajse tërësisht të luftuara, e kur jetesa jonë në vendbanimet tona do të kontribuoj në shëndetin tonë fizik dhe mendor.

Kjo ka qenë zanafilla e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, të cilat u përpiluan dhe u dizajnuan me idenë për të mobilizuar shoqëritë tona për një vetëdijesim shumë më të lartë rreth ndikimit të përditshëm të veprimeve tona në ekosistemet që na rrethojnë e në planetin në të cilin jetojmë. Agjenda e vitit 2030 ka një qëllim të vetëm – ajo synon që deri në vitin 2030 ne të gjithë të jetojmë më mirë, me më shumë mirëqenie e me më shumë barazi.

Sot ne jemi po ashtu vetëm 29 vite larg vitit 2050. Në përputhje me Marrëveshjen e Parisit, brenda kësaj periudhe ne duhet të punojmë fort e të bashkëpunojmë ngushtë e të largojmë karbonin nga boshti i aktivitetit tonë njerëzor e ekonomik.

Është ky viti i dytë pandemik e pandemia ka shpërfaqur edhe më shumë se kurrë problemet në sistemet menaxhuese e politikbërëse të kohës sonë. Ne e kemi të qartë që gjërat nuk mund të vazhdohen të bëhen siç i kemi bërë për një kohë të gjatë. Përveç vetëdijesimit për rëndësinë e bashkëpunimit për mbrojtjen e shëndetit kolektiv, pandemia duhet të shërbejë edhe si një thirrje për t’i bërë gjërat më ndryshe, në mënyrë më gjithëpërfshirëse e me impakt më të qëndrueshëm. E mbi të gjitha, si një thirrje për të marr përgjegjësi në të gjitha nivelet.

Në këtë rrugëtim, përgjegjësia kolektive dhe përgjegjësia individuale shkojnë kokë me kokë, sepse suksesi do të jetë i mundur vetëm atëherë kur të gjithë nga niveli lokal e niveli qendror, tek akterët shtetëror e jo shtetëror punojmë së bashku e bëhemi pjesë e gjetjes së zgjidhjeve për problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi.

Është më se e drejtë që kur statistikat na tregojnë se qytetet sot përbëjnë më shumë se 50% të popullsisë së planetit, 80% të prodhimit global ekonomik, dy të tretat e konsumit global të energjisë dhe më shumë se 70% të emetimeve vjetore globale të karbonit, ne duhet të mblidhemi sot për të diskutuar për mënyrat se si të përshpejtojmë veprimin në nivelin urban për të kontribuar drejt një bote të çliruar nga karboni. Jo shumë kohë më parë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara tha se: ‘Qytetet do e përcaktojnë nëse do të dalim fitimtarë apo humbës në luftën për klimën.’

Dhe me trendet në rritje të urbanizimit, roli qendror i qyteteve do të vazhdojë të rritet gjithnjë e më shumë. Parashihet që deri në vitin 2050, më shumë se 70% e popullsisë së botës do të jetojë në qytete. Me fjalë të tjera, nevoja për infrastrukturë urbane sa vjen e shtohet prandaj është koha e fundit që ne të veprojmë. Prandaj, mundësia e radhës më e mirë e jona për të vepruar prej së vërteti në këtë drejtim është pikërisht sot, sepse koha e duhur për investim në qytetet tona të mençura ishte dje.

E përderisa ne sot flasim për rëndësinë e veprimit në këtë drejtim, të gjithë e kemi mundësinë që ta bëjmë diferencën shumë shpejt. Mundësia e parë është pikërisht zgjedhja e atyre që do të jenë në krye të planifikimit e politikbërjes në nivel lokal në komunën tuaj. Jo që dua ta politizoj këtë paraqitje, por në këto zgjedhje lokale ju ftoj që të shfrytëzoni ditët e fushatës për të komunikuar me kandidatët tuaj të preferuar dhe të kërkoni drejtpërdrejt nga ata që të sigurohen që në programet e tyre të kenë të përfshirë në mënyrë sa më konkrete edhe atë që tashmë i referohemi si “Agjenda e Gjelbër”. Mos e humbisni këtë rast – filloni ta kërkoni ndryshimin e nevojshëm. Filloni nga komuna juaj! Filloni nga qyteti juaj!

Një gjë është e qartë. Ndërsa çdo ditë ka nevoja unike, sektorët kryesor që kontribuojnë drejtpërdrejt në ndërtimin e qyteteve të qëndrueshëm dhe më të zgjuara të së ardhmes janë: mobiliteti, energjia, mjedisi, e planifikimi urban. Dhe është identifikimi dhe propozimi i politikave të duhura në këto fusha që do të na ndihmojnë në arritjen e rezultateve të dëshiruara.

Për të pasur sukses në këtë drejtim, përveç vullnetit, por edhe buxhetit – duhet mbi të gjitha të kemi vizionin për të arritur këtë qëllim. E sot jam këtu për të thënë që ndjej se ky vizion nuk iu mungon institucioneve të reja të Kosovës. Institucionet tona e kanë të qartë pse duhet punuar fort për një të ardhme pa karbon. Ju të cilëve po u shohim sot këtu e keni fare të qartë pse duhet të veprojmë në këtë drejtim. Të rinjtë e të reja tona çdo ditë e dëshmojnë që e dinë çdo ditë e më shumë dhe janë të vetëdijshëm pse gjurmët e karbonit duhet t’i lëmë pas. Prandaj, si kurrë më parë, e shoh që ne e kemi rastin e artë për të bashkuar forcat për ta bërë ndryshimin të mundur në këtë drejtim.

Andaj, ju ftoj që së bashku të punojmë për ndërtimin e jetësimin qyteteve të mençura, të qëndrueshme e të gjelbra. Të punojmë së bashku për një të ardhme ku në vend të burimeve fosile siç është thëngjilli, ne zgjedhim burimet e ripërtëritshme të energjisë. Në vend të izolimit, ne zgjedhim gjithpërfshirjen. Në vend të betonit, ne zgjedhim hapësira të gjelbra. Në vend të transportit privat, ne orientohemi tek transporti publik. Pra, një të ardhme ku e mundësojmë bashkëjetesën e zhvillimit ekonomik me mbrojtjen e ekosistemeve dhe habitateve që na rrethojnë. E në rrugëtim e sipër, të sigurohemi që puna jonë udhëhiqet nga parimet e promovimit dhe garantimit të barazisë gjinore dhe të gjithpërfshirjes. Kjo është mundësia jonë e vetme për të shënuar një sukses të vërtetë.

Por për fund, në mënyrë që të gjitha që këto i thamë edhe unë, edhe z. Siddique, por që besoj që do t’i dëgjojmë edhe nga kryeministri dhe të tjerët të bëhen realitet, Kosova duhet ta ketë vendin e saj në tavolinë, dhe ta ketë zërin e saj në COP26 në mënyrë që edhe ne të dëgjohemi. Nuk është që ndryshimet klimatike i prekin vetëm shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara. Nuk mund ta izoloni Kosovën më, kurse në anën tjetër të kërkohen po të njëjtat kërkesa e përqindje sikurse për shtetet anëtare të Kombeve të bashkuara. Ka ardhë koha që edhe zëri ynë të dëgjohet, sepse, pavarësisht sa vend i vogël jemi, edhe ne mund të kontribuojmë në atë që u quajt si përgjegjësi kolektive për ta mbrojtur planetin tonë.

Ju faleminderit dhe suksese!