Fjala e Presidentes Osmani në diskutimin “Të drejtat pronësore dhe dhuna në familje”

I nderuar z. Wigemark,
Të nderuara ambasadore,
Shumë të nderuar pjesëmarrës nga institucionet vendore
Zonja dhe zotërinj!

Ju faleminderit për ftesën sot!

Të diskutosh për të drejtën pronësore në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore është përçim i një mesazhi të qartë se fuqizimi ekonomik dhe barazia gjinore janë parakushte themelore për krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë ndihen edhe të sigurta, por edhe të fuqizuara. Diskutime të tilla i shërbejnë qëllimit tonë të përbashkët final. Respektivisht, këto diskutime fuqizojnë tutje përpjekjet tona për luftim të dhunës ndaj vajzave dhe grave, duke e sqaruar njëherë e përgjithmonë se  nuk mund të tolerohet tutje që e drejta për trashëgimi dhe të drejtat pronësore të jenë pre e diskriminimit gjinor. Dhe se, çështja e trashëgimisë nuk është vetëm një çështje e izoluar, por prona realisht përbën një instrument të fuqizimit dhe stabilitetit ekonomik mbi te gjitha.

Gratë dhe vajzat siç kemi dëgjuar shumë herë padyshim janë shtyllë e fuqishme e  shoqërisë sonë. Pjesëmarrja e barabartë e tyre në çdo proces krahas burrave, kontribuon jo vetëm në të mirën e familjes, por edhe të gjithë shoqërisë dhe ekonomisë sonë në përgjithësi. Ky kontribut ngërthen në vete dhe trashëgiminë, edhe të drejtën pronësore, e cila padyshim është mbrojtje dhe garanci për mirëqenie, për pavarësi dhe integritet e dinjitet. Kësisoj prona krijon mundësi për pavarësi ekonomike dhe fuqizim të zërit të grave dhe vajzave kundruall padrejtësive dhe pabarazive.

Si rezultat i prezencës së mëtejme të qasjes patriarkale e diskriminuese në raport me të drejtën pronësore, gjendja aktuale për sa i përket trashëgimisë pronësore vazhdon të mos jetë e kënaqshme. Një përqindje shumë e vogël e pasurisë nga prindërit trashëgohet nga vajzat, ndërkaq një përqindje po ashtu shumë e vogël është sa i përket grave që janë pronare të pronave.

E një situatë e tillë, fatkeqësisht, nuk dallon shumë nga mendësia që dominonte kur ligjin e bënte Kanuni dhe kur e drejta e pronësisë varej nga gjinia, nga mosha dhe gjendja shëndetësore, teksa përparësi atëherë i jepej gjinisë mashkullore. Kësisoj “pronat e pasuritë” si dhe siç quhej  “sundimi i shtëpisë së vetë”, mund t`i jepej në zotërim një 15 vjeçari, një djali pra, por jo një vajze apo gruaje.

Përkundër ligjeve tona të avancuara, pasojat e një përkufizimi të tillë zakonor manifestohen dhe janë prezente edhe sot e kësaj dite në praktikë, duke anashkaluar mundësinë e ofruar në bazë të kornizës ligjore. Andaj, të dhënat për zotërimin e pronës nga vajzat dhe gratë në vendin tonë janë në nivel tejet të ulët, që është po ashtu nivel shqetësues.

Kjo pra, pavarësisht bazës ligjore. Pavarësisht se Kushtetuta e Kosovës ndalon në mënyrë të qartë diskriminimin, kodi zakonor është shumë relevant në shumë pjesë të shoqërisë.

Por, nuk mund të mohojmë edhe progresin e ngadaltë, por gjithsesi prezent. Të dhënat flasin për rritje të numrit  të grave që kanë iniciuar kërkesa për trashëgimi. Në të njëjtën kohë është dyfishuar numri i grave që kanë raportuar se kanë trashëguar pasuri. Janë pikërisht këto zhvillime pozitive që duhet evidentohen, të duartrokiten, por mbi të gjitha duhet të shumëfishohen.

Gratë dhe vajzat duhet të jenë të vendosura në shfrytëzimin e të drejtës së tyre për pronë, sepse prona nuk duhet të shihet si dhuratë. Ajo është një e drejtë e fituar. Duhet të jetë e qartë se prona është një mundësi për të manifestuar integritet në përballje me elementet e patriarkalizmit.

E përderisa shoqëria gradualisht e internalizon rëndësinë e kësaj që po e diskutojmë ne sot, jemi ne institucionet që duhet të jemi shumë më të vendosur që të zbatohet legjislacioni, të ndryshohet e të përparohet aty ku është nevoja, të monitorohet pajtueshmëria, sikurse edhe sigurimi i ndarjes së drejtë dhe jodiskriminuese të trashëgimisë. Përfundimisht, sistemi gjyqësor duhet t`i trajtojë kërkesat për të drejtat pronësore të grave në mënyrë të drejtë, efikase dhe pa vonesë. E ky angazhim duhet të tejkalojë çdo ndasi shoqërore, duke u siguruar që të drejtat pronësore të sigurohen dhe garantohen edhe për komunitetet joshumicë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Mungesa e një sistemi efektiv të të drejtave pronësore dhe mungesa e koordinimit sistematik në luftimin e dhunës në familje dobëson sundimin e ligjit, ndikon negativisht në respektimin e të drejtave të njeriut, dobëson pozitën e grave rrjedhimisht barazinë gjinore në shoqëri si dhe pengon rritjen e qëndrueshme ekonomike e mirëqenien kolektive, sepse të gjitha këto janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, e të gjitha e kanë pikënisjen tek barazia. Ndërkaq, barazia është e pamundur pa fuqizimin ekonomik, e pa respektim të të drejtave pronësore.

Kosova tashmë e ka një pako ligjesh, të cilat e rregullojnë këtë sferë, por kjo duhet të përcillet edhe me ngritje të vetëdijes në shoqërinë tonë.

Prosperiteti ekonomik i vendit tonë ndërtohet mbi bazën e mundësive dhe shanseve të barabarta, ndërsa  e drejta e barabartë në pronë përbën shtyllë të rëndësishme për garantimin e suksesit të përpjekjeve tona në këtë drejtim. Pronësia është shumë më shumë se sa posedim i një letre poseduese. Prona është garanci ekonomike, është kolateral që lehtëson qasjen në instrumente financiare, është konfirmim i një statusi të fuqizuar në shoqëri. E me raste, është pikërisht ajo çka mund të bëjë ndarjen në mes të jetës dhe vdekjes, duke ofruar strehë  për një vajzë apo grua e cila është viktimë e dhunës si dhe mundësi për të për t’u larguar nga dhuna.

Numri i grave që raportojnë raste të dhunës në familje është rritur në krahasim me vitet e mëparshme. Izolimi përgjatë pandemisë është parë si një prej kontribuuesve kryesor në këtë drejtim. E shpeshherë, pamundësia për të pasur strehën tënde si grua, e përkeqëson situatën shumë më shumë. Andaj, nuk kemi të bëjmë vetëm me të drejtën në pronë, por mbi të gjitha, me një mundësi për t’i thënë ‘Stop dhunës’- Por, asgjë nuk fillon dhe as nuk përfundon me pronën. Sot më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për mobilizim të gjithmbarshëm të shoqërisë sonë, e të Institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj luftimit të dhunës mbi baza gjinore. Këto 16 ditë me aktivizëm, por në fakt 365 ditë të vitit duhet vepruar, në mënyrë që t’i inkurajojmë gratë dhe vajzat t`i raportojnë rastet e abuzimit të nxisim besimin e tyre në institucionet që merren me to. Për këtë shkak nevojitet sigurim i mekanizmave gjithëpërfshirës e mbi të gjitha efikas për reagim të shpejtë ndaj rasteve të dhunës në familje sikurse edhe ndërgjegjësim i shoqërisë për mospranim e mostolerim të dhunës në familje, çfarëdoqoftë ajo.

Përfundimisht, deri sa punojmë në këtë drejtim, është koha e fundit ta luftojmë mendësinë e ashtuquajtur të ‘turpit’ dhe të ‘nderit’, ndërkaq të përqafojmë vlerën e jetës dhe të mbrojmë jetën mbi të gjitha. Turp është dhuna, përveçse vepër penale. Turp është mungesa e rritjes së numrave të vajzave dhe grave që janë trashëgimtare e që posedojnë pronë, ndërkaq nderin le ta shohim nën prizmin e nderit që secili prej nesh do t’i bëjmë shoqërisë sonë duke i fuqizuar vajzat dhe gratë përmes garantimit të së drejtës në pronë dhe duke eliminuar dhunën ndaj tyre.

Sot,  nga kjo foltore, ju konfirmoj  se si Presidente e vendit së bashku me institucionet e tjera, do të angazhohem në secilën ditë të punës sime, që gratë të mbrohen nga dhuna, kjo dhunë të eliminohet, ndërkaq të drejtat e tyre të respektohen. U bëj po ashtu thirrje institucioneve të drejtësisë, që rastet e dhunës ndaj grave të trajtohen me prioritet, dhe dhunuesit të marrin dënimet e merituara. Sepse, shumë raste të dhunës ndaj grave, e fatkeqësisht edhe vrasje, do të mund të parandaloheshin, sikurse institucionet relevante do të kishin kryer punën ashtu siç duhej e atëherë kur duhej.

Heshtja ndaj padrejtësive e pabarazisë kurrë nuk duhej të jetë alternativë, sepse heshtja dhe mosndëshkueshmëria janë njëkohësisht nxitje për kryesit e veprave të dhunës - e kështu ata tolerohen që të vazhdojnë tutje e shpeshherë edhe të përfundojnë me vrasjen ndaj grave. Andaj, dhe njëherë, këto 16 ditë me aktivizëm, e 365 ditë të secilit vit me vepra konkrete, të bashkohemi kundër dhunës me baza gjinore dhe padrejtësive. Të mobilizohemi që gratë dhe vajzat të ndjehen të sigurta në shtëpitë e tyre, në punën e tyre dhe kudo tjetër.

Ju faleminderit!