Adresimi vjetor i Presidentes Osmani para Forcës së Sigurisë së Kosovës në Komandën e Forcave Tokësore në Istog

I nderuar komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Jashari,
Të nderuar gjeneralë,
I nderuar kolonel Dreshaj, zëvendëskomandant i Komandës së Forcës Tokësore,
Të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Ushtrisë sonë,

Përderisa takohemi këtu në Istog, në komandën e forcave tokësore, në fund të një viti jashtëzakonisht sfidues, jam e bindur se gjithsecili prej jush, qëndron në nderim të flamurit të Republikës së Kosovës, me bindjen e plotë se betimi që e keni dhënë, për t’i shërbyer atdheut në çdo kohë e çdo moment, është më i shenjtë se çdo gjë tjetër.

Dhe pikërisht kjo gatishmëri e juaja, për t’i shërbyer vendit e për ta mbrojtur atë nga çdo rrezik, na bënë krenar gjithsecilin, prandaj për mua si komandante supreme e kësaj ushtrie të ndërtuar me aq shumë sakrifica, është nder e privilegj sa herë që jam në mesin tuaj.

Sukseset tuaja në ngritjen e kapaciteteve, së bashku me përkushtimin e institucioneve për të rritur buxhetin dhe përkrahjen për sektorin e mbrojtjes, do të na shpien me hapa edhe më të shpejt, drejt asaj që e kemi vizion strategjik e destinacion të përcaktuar: vendit tonë të merituar në NATO.

Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe si detyrim ndaj grave e burrave që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, në mënyrë që ne të jetojmë të lirë e në paqe, së shpejti do të zëmë vendin tonë të merituar në Aleancën Veri-Atlantike duke i treguar botës se jemi gati jo vetëm për ta mirëmbajtur paqen, por edhe për ta mbrojtur atë në çdo kohë e në çdo cep të globit.

Por mbi të gjitha, djemtë e vajzat e Forcës sonë janë të gatshëm për ta mbrojtur  integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës në çdo pëllëmbë të tij.

Ju shquheni për përkushtimin ndaj vendit, për nivelin profesional, për disiplinën e përkushtimin ndaj detyrës, për nderin ndaj vendit tuaj. Kjo na bën krenar ne si udhëheqës por edhe si shtet, ndaj ju falënderoj gjithsecilin për këtë përkushtim të treguar.

Viti që po lëmë pas u përcoll me sfida jo vetëm për ne, por për mbarë botën. Duhet të jemi të vetëdijshëm që sfidat do të rriten krahas me përpjekjet për ta sfiduar paqen dhe rendin botëror nga regjimet autoritare e hegjemoniste. Në kohën kur arkitektura e sigurisë në kontinentin tonë po sfidohet e atakohet, krahas cenimit të paqes në botë, forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse është domosdoshmëri.

Prandaj sot, më shumë se kurrë na duhet devotshmëri ndaj atdheut, vigjilencë e përkushtim që Republikës t`i bëhemi gardianë.

Ju e bartni uniformën me dinjitet dhe krenari brenda e jashtë Kosovës, teksa kryeni detyrat tuaja në të gjithë vendin dhe përkrah partnerëve e aleatëve tanë, sikurse edhe në misione paqeruajtëse, duke ngre lart dhe duke e nderuar flamurin e shtetit të Kosovës.

Kjo dëshmon edhe një herë se FSK-ja është e gatshme dhe e përgatitur për operacione në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë globale.

Sivjet, ushtarët e FSK-së, u radhitën në vendin e dytë në mesin e mbi 100 ushtrive nga mbarë bota, në garën më të rëndësishme të patrullimit ushtarak në Mbretërinë e Bashkuar.

Oficerë dhe nënoficerë tanë në shkollime dhe trajnime jashtë vendit kanë arritur rezultate kulminante e ku së bashku me ta ka shkëlqyer Republika e Kosovës.

Ky është shpirti i ushtrisë sonë, këta janë jo vetëm mbrojtësit tanë, por edhe përfaqësuesit më të mirë të Republikës.

Në vitin që po vjen, ju do ta keni mundësinë sërish ta lartësoni shtetin me profesionalizëm, me pjesëmarrje në stërvitjen më të madhe të forcave amerikane në historinë e rajonit tonë në “Defender-Europe 23”, ku Kosova do ta ketë statusin e vendit pritës.

Pra, ushtria jonë me hapa më së të sigurt po shndërrohet në forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s.

Ky është një rezultat që vjen nga përkushtimi i ushtarëve të Forcës dhe në të njëjtën kohë i mbështetjes së përhershme nga aleatët tanë perëndimorë, posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prandaj në këtë fundvit përkrah falënderimit për secilin nga ju të udhëhequr nga Komandanti Jashari, një falënderim po aq të madh edhe për të gjithë aleatët tanë në krye me SHBA-të, të cilët po na ndihmojnë ta vazhdojmë ta trajnojmë e përgatisim ushtrinë tonë dhe ngritjen e kapaciteteve të saj!

Sikurse në çdo vit tjetër, sërish Ushtria jonë gëzon mbështetjen më të madhe qytetare në mesin e institucioneve të vendit. Ky është rezultat i angazhimit tuaj, këmbëngulësisë suaj e mbi të gjitha gatishmërisë për t’i shërbyer atdheut.

Ju po na bëni të mburremi vazhdimisht, ndaj faleminderit në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë,

Ushtria është shtylla më e fuqishme e shtetit, ndaj do ta trajtojmë gjithnjë si të tillë. Në vitin 2023, buxheti për FSK-në është rritur dhe do të jetë në funksion të modernizimit të mëtejmë të forcave tona.

Me buxhetin prej 123 milion euro, ne synojmë që t`i rrisim aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së në mbrojtje të vendit tonë.

Ju jeni ata që përfaqësoni të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim me vullnetin tuaj të lirë, me përkushtim të madh keni zgjedhur që t'i shërbeni shtetit tonë.

Në festat sikurse këto të fundvitit, duhet t`u kujtojmë dhe t`u jemi pafundësisht mirënjohës për shumë prej jush që në ditë festive jeni në detyrë, duke u kujdesur për vendin tonë.

Në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës, ju falënderoj për shërbimin, disiplinën dhe përkushtimin në detyrë përderisa bashkë me ju tregojmë edhe mirënjohjen tonë të pakufishme po ashtu për policët tanë në detyrë që çdo ditë po i dalin në mbrojtje atdheut.

Prandaj sot do t`i vlerësojmë të arriturat e oficerëve me përvojë, sikurse edhe disa njësive të FSK-së për profesionalizëm, duke i dekoruar për sukseset e sivjetme por edhe sukseset përgjatë gjithë shërbimit të tyre pas propozimit të bërë nga ana e FSK-së.

Gjithashtu, deri në fund të javës do të përfundoj edhe procesi i gradimeve dhe emërimeve të oficerëve të lartë dhe pozitave komanduese në FSK pas propozimeve që më kanë ardhur.

Ndërsa qëndroni të gatshëm dhe të përgatitur që gjithnjë t’i dilni në mbrojtje atdheut - Viti i Ri që po vjen, uroj të sjell në familjet tuaja dhe te të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, paqe, prosperitet e shëndet!

E për të gjithë ata që dëshirojnë të sfidojnë paqen e ta sfidojnë lirinë tonë, tua përkujtojmë edhe njëherë po nga këtu ku jemi rreshtuar në mbrojtje të flamurit të vendit tonë, që nuk ka asgjë që arrin ta mund vullnetin e një populli për të jetuar i lirë e i pavarur. E kemi dëshmuar këtë në vitet e 90-ta kur ushtria jonë çlirimtare, edhe pse më e paktë në numër në krahasim me ushtrinë gjenocidale e policinë serbe, kishte vullnetin e shpirtin luftarak shumëfish më të madh sepse ishte në mbrojtje të atdheut. Pikërisht ky shpirt luftarak, në mbrojtje të shtëpisë sonë të përbashkët, të Kosovës, rezultoi me lirinë që e gëzojmë sot e të cilën do ta mbrojmë me çdo kusht e në çdo moment.

Prandaj, çdo ditë kur ta vishni këtë uniformë të shenjtë, mos harroni sakrificën që është bërë që të vijë kjo ditë, gjakun që është derdhur që të agojë dita e lirisë e që ju të mund ta gëzoni këtë uniformë së bashku me ne. Visheni këtë uniformë edhe për ata që s’janë e le të vazhdojë të jetë vizioni i heronjve e dëshmorëve tanë drita jonë udhërrëfyese përderisa mbrojmë shtetin e krijuar me aq shumë mund e aq shumë sakrificë.

Zoti i bekoftë ushtrinë tonë!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!
Faleminderit!