Nisin konsultimet publike për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin

Ekipi Përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin ka nisur me konsultimin e parë publik, me grupin e viktimave civile dhe familjarët e personave të pagjetur. Në këtë proces të konsultimeve, ekipi planifikon të përfshijë edhe grupe të tjera të qytetarëve, në mënyrë që shtrirja dhe përfshirja të jetë sa më e madhe, për të krijuar më pas një bazë ligjore bazuar në nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në konsultimin e realizuar me përfaqësuesit e viktimave civile dhe të personave të pagjetur nga Ferizaji, Prishtina, Mitrovica, Malisheva, Drenasi, Skenderaji, Krusha e Madhe, Fushë Kosova dhe Deçani, familjarët shprehën brengat për më të dashurit e tyre dhe pritjet nga mekanizmat shtetërorë për të tejkaluar dhimbjet dhe përjetimet e tyre. Ata, po ashtu, dhanë sugjerime të shumta lidhur me formimin dhe mënyrën sesi duhet të funksionojë komisioni, pasi procesi u cilësua si shumë i ndjeshëm dhe i rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe gjeneratave që do të vijnë.

Konsultimet publike janë të hapura për të gjitha grupet e synuara nga Ekipi Përgatitor dhe janë një mundësi e mirë për të ndikuar në drejtimin që duhet të ketë komisioni.