Ekipi Përgatitor konsultohet me veteranët e UÇK-ës

29 Mars 2019, Prishtinë – Ekipi Përgatitor për Themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, ka mbajtur konsultim publik me veteranët e UÇK-së.

Kryesuesi i Ekipit Përgatitor për Themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, Ardian Arifaj, si panelist ka thënë se  “ky komision nuk synon amnistinë e askujt për krimet e luftës, por qëllimi është të nxirret e vërteta, të validohen të dhënat dhe të pajtohemi që mos të përsëritet urrejtja dhe lufta. Komisioni ka qëllim pajtimin e brendshëm, e jo atë ndërshtetëror.”

Kurse Faton Klinaku, veteran i UÇK-së, ka thënë ”në Kosovë ka pas luftë, e jo konflikt dhe nuk pajtohem për këtë komision”, duke shtuar më tej se “për dokumentim ka institucione tjera dhe nuk ka nevojë me u bërë komisioni. Për çështjen e viktimave janë organet e drejtësisë. E kam përshtypjen se po krijoni institucion paralel.”

Veteranët ishin shumë bindës me argumentimet e tyre për nevojën për të vërtetën dhe për të themeluar këtë komisioni.

” Ne kemi nevojë të kemi komision të tillë dhe e përkrahi këtë iniciativë. Moszbulimi i të vërtetës ka ndikuar edhe në Kushtetutë, ku jemi detyruar me krijuar privilegje për një grup të qytetarëve”, ka thënë Nasim Haradinaj, nënkryetari i OVL/UÇK-ës,.

Ndërsa, kryetari i veteranëve, Hysni Gucati paraqiti gatishmërinë për të bashkëpunuar duke shtuar se ”ne jemi mirënjohës që ky ekip përgatitor nga Zyra e Presidentit ka kërkuar edhe opinionin tonë për këtë temë shumë të ndjeshme dhe ne e përkrahim komisionin, por nuk kemi nevojë për termin pajtim.”

Në këtë konsultim publik me veteranët, në të cilin kishte opinione dhe rekomandime kundërshtuese të cilat do të përfshihen në dokumentet e Ekipit Përgatitor, poashtu kishte edhe opinione që përkrahin iniciativën dhe deklaruan mbështetjen për punën e Ekipit Përgatitor.