Ekipi Përgatitor konsultohet me ish të burgosurit politik

11 Prill 2019, Prishtinë – Ekipi Përgatitor për Themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, zhvilloi konsultimin e radhës me ish të burgosurit politik.

Paneli i konsultimi publik ishte i përbërë nga Ardian Arifaj, kryesues, Baki Svirca dhe Abdullah Ferizi anëtar të Ekipit Përgatitor për Themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, fillimisht sqaruan konceptet themelore të Drejtësisë Tranzicionale, pastaj pjesëmarrësit i njoftuan me përvojat e të tjerëve dhe po ashtu folën edhe për iniciativën e Presidentit për Komisionin e së Vërtetës në Kosovë, dhe pse ai na duhet.

Duke u nisur nga bagazhi emocional dhe i përjetimeve traumatike të shkaktuara nga ish sistemi jugosllav, ish të burgosurit politik dhanë shumë mendime për parimet në të cilat duhet ndërtuar komisioni për të vërtetën.

Ish i burgosuri politik Hydajet Hyseni mendon se “ideja për themelimin e komisionit është e mirë, por duhet pas kujdes që mos të krijohen keqkuptime, të maten rezultatet e komisionit dhe të mos barazohet viktima me fajtorin”.

Një pjesëmarrës tjetër u shpreh se “pajtimi është i mirë, i dëshirueshëm dhe i nevojshëm për të ecur përpara, por drejtësia duhet të jetë në rend të parë dhe ajo çka na mungon është reformimi i drejtësisë”.

Kurse, Neriman Braha propozoi që “të krijohen ekspozita me fotografi dhe të dërgohen në çdo vend të botës, duke paraqitur të vërtetën tonë dhe duke paraqitur atë në konferenca ndërkombtare. Mos paraqiten vetëm shkeljet e të drejtave individuale të njeriut, por shkeljet ndaj kombit tonë që kanë ndodhur”.

Përveç propozimeve për periudhën, për llojin e shkeljeve, pati edhe shumë sugjerime nga ish të burgosurit politik që ishin të arsyeshme.