Ekipi Përgatitor konsultohet me familjarët e të pagjeturve të komunitetit serb

Graçanicë, 12 mars 2019 – Ekipi Përgatitor për Themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin ka nisur të zhvillojë konsultime publike me grupet më të ndjeshme të shoqërisë kosovare që nga pas lufta.

Konsultimi me familjarët e viktimave civile dhe familjarët e personave të pagjetur nga komuniteti serb është pritur mirë dhe është pranuar si iniciativë tejet e nevojshme.

Edhe pse dhimbja dhe shqetësimi ishin prezent, në takimin konsultativ të mbajtur në Graçanicë, familjarët u shprehen të gatshëm të bashkëpunojnë me Ekipin Përgatitor dhe i dhanë propozimet e tyre lidhur me komisionin që pritet të themelohet.

Panelistët e këtij konsultimi publik, Ardian Arifaj dhe Abdullah Ferizi, sqaruan para pjesëmarrësve përvojat e vendeve tjera dhe synimet që i ka Ekipi Përgatitor.

Të pranishmit në këtë konsultim e çmuan lart iniciativën e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe ishin shumë aktivë dhe konstruktivë në sugjerimet e tyre gjatë diskutimit me panelin.
 
Me themelimin e këtij mekanizmi gjithëpërfshirës synohet të dëgjohen zërat dhe brengat e qytetarëve të Kosovës, duke i artikuluar më pas ato në akt normativ, në bazë të cilit do të themelohet edhe Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Konsultimet publike janë të hapura për të gjitha grupet e synuara nga Ekipi Përgatitor dhe janë një mundësi e mirë për të ndikuar në dhënien e drejtimit të komisionit.