DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu: Lutjet e klerit të të gjitha besimeve ndihmuan që Kosova të jetë e lirë

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga kreu i Kishës Katolike, imzot Dodë Gjergji, me rastin e Pashkëve.

Presidenti Sejdiu, duke i përgëzuar qytetarët e Kosovës të besimit katolik dhe gjithë njerëzit e vendeve të tjera, të cilët ndodhen në vendin tonë, shprehu kënaqësinë që ishte i pranishëm në ceremoni e një feste shumë të rëndësishme të njerëzve të Kosovës dhe të njerëzve të botës, festës së ringjalljes së Krishtit. “Sot jepen mesazhet më të mira, mesazhet për lirinë dhe të drejtat njerëzore, mesazhet për afrinë në mes të njerëzve dhe bashkëpunimin e tyre, për paqen dhe stabilitetin, mesazhe të cilat nuk do të kenë vlerën e tyre vetëm të një ditë të festës dhe të kremtes, por mesazhe të cilat do ta kenë vlerën e tyre gjatë gjithë vitit dhe gjithmonë”, theksoi Presidenti Sejdiu. Gjithashtu, Presidenti Sejdiu tha se Pashkët e sivjetme bëjnë pjesë në kuadër të një jubileu të madh, 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, nënës së botës, por të origjinës së gjakut tonë, nënës që bëri jehonë në shekullin e vet të jetës dhe e cila do të jetë simbol i paqes dhe i dashurisë njerëzore edhe për gjithë brezat që do të vijnë. Gjatë kësaj ceremonie, Presidenti Sejdiu foli edhe për objektin e kultit, katedralen në Prishtinë, e cila mban emrin e Nënës Terezë, duke shprehur besimin e tij se Imzot Dodë Gjergji dhe bashkëpunëtorët e tij do të angazhohen që ky objekt të përfundojë së ndërtuari në afatin optimal dhe të jetë një vend, ku do të tubohen qytetarët e Kosovës në ditë kremteje dhe në ditë lutjeje. Duke theksuar se lutjet janë pjesë e punës, një përkushtim dhe dedikim për punë dhe vepra të mira, Presidenti Sejdiu theksoi se krahas punës së madhe të bërë në rezistencën e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës, në dekada, ishin lutjet e vazhdueshme edhe të klerit të Kishës Katolike, edhe të Bashkësisë Islame dhe të gjithë njerëzve të tjerë dashamirës të njerëzve të Kosovës, që bënë që ne sot vërtet të kemi këtë ditë, Kosovën në liri, me njohje të shumta ndërkombëtare, që do të pasojnë po kështu, dhe të kemi Kosovën të integruar në procese të mëdha, në asociime ndërkombëtare, por edhe në punë të mëdha për paqen dhe stabilitetin. Gjithashtu, Presidenti Sejdiu gjatë kësaj ceremonie, nëpërmjet komandantit të KFOR-it, gjeneralit Bentler, i cili ishte prezent, u adresoi mesazhet e urimit për Pashkët të gjithë ushtarëve të KFOR-it, në shenjë respekti për punën dhe përkushtimin e tyre të përditshme për Kosovën.

This site is registered on wpml.org as a development site.