Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu pati një takim me akademik Mark Krasniqin, kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, të cilin e shoqëronin anëtarë të kryesisë së kësaj partie.
Edhe në këtë takim, Presidenti Sejdiu përsëriti se zgjidhja e vetme e qëndrueshme për Kosovën është pavarësia e saj e plotë, e cila do ta qetësonte rajonin dhe do të krijonte stabilitet në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Edhe akad. Krasniqi theksoi se shtyrja e vendimit për statusin politik të Kosovës nuk është aspak e dobishme.“Qytetarët dhe institucionet e Kosovës janë përcaktuar për pavarësinë dhe sovranitetin e vendit, ndaj bisedimet e mëtejme me Serbinë nuk mund të sjellin asnjë rezultat”, tha akad Krasniqi.Më tej, bashkëbiseduesit u pajtuan që aplikimi i pragut zgjedhor dhe listat e hapura janë veçori pozitive për zgjedhjet e ardhshme. Po ashtu, ata theksuan se në këtë etapë është shumë e rëndësishme që Kosova të mos ketë vakuum institucional dhe që procesi të rrjedhë qetë.