Prishtinë, 7 qershor 2007 –
?Pavarësia është çelësi i të gjitha proceseve në Kosovë?, tha Presidenti Sejdiu gjatë një takimi të mbajtur sot me shefin e OSBE-së në Kosovë, z. Werner Wnendt, me të cilin bisedoi për një gamë të gjerë temash, që kanë të bëjnë me proceset politike dhe legjilative në vend.
Po ashtu, Presidenti Sejdiu theksoi se menjëherë pas miratimit të rezolutës së re në KS të OKB-së, Kosova do hyjë në një fazë të rëndësishme, meqë brenda afatit të paraparë duhet të mbahet zgjedhjet lokale dhe nacionale, duhet të miratohen një varg ligjesh që parashihen me Pakon e Ahtisarit, si dhe duhet të përgatitet Kushtetuta e re e Kosovës. Njeriu i parë i OSBE-së në Kosovë, Wnendt, shfaqi shqetësimin e kësaj organizate për pragun e lartë zgjedhor, 5 për qind, që është paraparë për zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se kjo shifër i eliminon fare nga gara partitë e vogla. Sidoqoftë, ai tha se OSBE-ja është e gatshme të vazhdojë ta ndihmojë procesin përgatitor zgjedhor dhe do ta respektojë vendimin e institucioneve të Kosovë lidhur me këtë çështje. Pasi e falënderoi Presidentitn për punën e Ekipit të Unitetit, Wnendt theksoi se së shpejti do të krijohet një grup, i cili që do të fillojë punën për ligjet që parashihen me Pakon e Ahtisarit dhe që më vonë duhet të miratohen në Kuvendin e Kosovës. “Afati zgjedhor është çështje që duhet të diskutohet nga Ekipi i Unitetit dhe OSBE-ja është e gatshme që të marrë pjesë në këto diskutime”, tha ai.