Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot një delegacion nga Fondacioni Grek për Politikat e Jashtme dhe Evropiane (ELIAMEP).
Presidenti Sejdiu u ka folur mysafirëve për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për marrëdhëniet me shtetin grek, me të cilin, megjithëse ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovën, ka marrëdhënie të mira. Ai ka përmendur bashkëpunimin e mirë me përfaqësuesin e shtetit grek në vendin tonë, si dhe ka çmuar lart prezencën e ushtarëve grekë në kuadër të KFOR-it, si dhe pjesëmarrjen në misionin e EULEX-it.Në takim, Presidenti Sejdiu ka theksuar edhe një herë synimin e Kosovës për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe e të gjitha mekanizmave ndërkombëtarë.Ai gjithashtu ka theksuar një varg fusha të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Greqisë, duke vënë theksin tek bashkëpunimi ekonomik, i cili është me interes të dyanshëm.Në këtë plan, ai ka përmendur anëtarësimin e vendit tonë në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, si dhe krijimin e legjislacionit dhe të kushteve shumë të mira për investime të huaja në vend.