Prishtinë, 13 korrik – ?Aktualisht, po punohet në një draft të rezolutës në Këshillin e Sigurimit, por nëse dështohet të arrihet kompromisi ndërkombëtar për këtë rezolutë, Kosova do t?i shikojë edhe mënyrat alternative të zgjidhjes së statusit të saj?, theksoi Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, pas takimit me z. Bernard Kouchner, ministër i Punëve të Jashtme dhe Evropiane i Francës, i cili festën e Republikës së Francës, 13 korrikun, e priti në Kosovë.
Lidhur me konsultimet shtesë për statusin, të cilat po i kërkon bashkësia ndërkombëtare, Presidenti theksoi se vendimi për këtë do të merret në një takim të përbashkët të Ekipit të Unitetit, por vetëm pasi që një kërkesë e tillë të jetë zyrtarizuar. Ndërsa, ministri Kouchner vuri theksin në rëndësinë e ruajtjes së unitetit në javët dhe në muajt në vijim. “Mos besoni se ne kemi ndryshuar, se Bashkimi Evropian apo ndonjëri nga miqtë tuaj i ka ndryshuar qëndrimet”, tha z. Kouchner, duke shtuar se “ky është fund i vështirë i një procesi të vështirë”. Ai, po ashtu, tha se Franca nuk është në favor të idesë së ndarjes së Kosovës. “Diplomacia ndërkombëtare nuk do të ndalet derisa të shteren të gjitha mundësitë që Këshilli i Sigurimit të gjejë një version të rezolutës, e cila do të përkrahej edhe nga Rusia. Por, në fund, nëse Rusia nuk pajtohet, atëherë pavarësia e Kosovës është më e rëndësishme”, pohoi z. Kouchner.