Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të bibliotekës së shkollës fillore Xhemail Mustafa në Prishtinë.
Duke folur në ceremoninë, në të cilën ishin të pranishëm edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës, Sali Bashota, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti, si dhe zyrtarë të tjerë të pushtetit lokal, Presidenti Sejdiu tha se ndjen kënaqësi që jo vetëm sot, por edhe më parë, Biblioteka Universitare e Kosovës bashkë me partnerët e saj bën dhurimin e bibliotekave shkollore të ndryshme.“Mendoj se është një traditë e filluar mirë dhe se do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ka ardhur koha e zhvillimeve të shpejta për Kosovën dhe posaçërisht të gjitha zhvillimet mund të mbërrijnë nivelin e tyre të lakmueshëm atëherë kur ka dije, kur ka përgatitje të mirë”, tha Presidenti Sejdiu.“E pashë se biblioteka është e kombinuar mirë edhe në rrafshe të ndryshme të krijimtarisë apo dijes, prej asaj që mund të quhet dedikim për fëmijët deri tek pjesët e studimeve të thelluara për nivelin që i duhet kësaj shkolle dhe uroj që vërtetë këto përpjekje të mira të vazhdojnë edhe në shkollat e tjera të Kosovës dhe në qendra të tjera të rëndësishme”, tha Sejdiu, duke premtuar përkrahjen e tij për projektet e bibliotekave nëpër shkolla.Duke premtuar kontribut konkret për pasurimin e fondit të bibliotekës së kësaj shkolle, Presidenti Sejdiu theksoi se hapja e bibliotekave të reja dhe pasurimi i tyre me sa më shumë tituj është e rëndësishme, për faktin se nxënësit duhet të nxiten sa më shumë që të lexojnë, sepse ata që lexojnë dhe mësojnë do të kenë gjithmonë rrugët e hapura.Pas përurimit të bibliotekës, nxënësit e shkollës fillore “Xhemail Mustafa” shfaqën një program artistik.