Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, u ka dërguar qytetarëve të Kosovës një mesazh urimi me rastin e festës së 2 Korrikut, Ditës së miratimit të Deklaratës Kushtetuese për pavarësinë e Kosovës, në të cilin thuhet:
Qytetarë të dashur të Kosovës,Miratimi i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut paraqet një moment të rëndësishëm për historinë dhe për popullin e vendit tonë. Kjo deklaratë shënon hapin e parë institucional të procesit të gjatë për pavarësi, i cili është në prag të realizimit. Në historinë moderne të Kosovës ajo do të mbetet si Ditë e Pavarësisë, si ditë që sublimon përpjekjet e pareshtura të popullit të Kosovës për liri e sovranitet. Deklarata e 2 Korrikut dhe aktet që e pasuan atë, Kushtetuta e Kaçanikut dhe Referendumi për pavarësi, shenjojnë kthesën historike të ecjes sonë në dekadën e fundit të shekullit XX. Ato u bënë me kohë pikënisje e Lëvizjes sonë të përbashkët të rezistencës së përgjithshme kundër okupimit, gjatë gjithë viteve ’90, së cilës i priu njeriu vizionar i Kosovës, Presidenti Rugova. Po ashtu, me këto akte në mendje dhe me idealin e lirisë në zemër, rrokën armët e luftës për çlirim të gjithë pjesëtarët e UÇK-së, shumë prej të cilëve dhanë jetën e tyre në frontin e madh të sakrificës për atdhe, në përballjen direkte me makinerinë e pushtuesit.Prandaj, në këtë ditë të madhe, i kujtojmë me përkulje të gjithë ata që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në veçanti e kujtojmë me dhembje e krenari Presidentin historik, dr. Ibrahim Rugovën, i cili u nda nga jeta pa e pritur njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, për të cilën ai punoi me aq përkushtim. Por, jemi të bindur se procesi i pavarësimit të vendit do të përmbyllet shpejt, ndërsa ëndrra e të gjithë atyre që shkuan në amshim pa e pritur këtë ditë do të bëhet realitet dhe do të gëzohet nga bijtë dhe bijat e tyre, nga rinia e Kosovës, e cila paraqet pasurinë dhe garancinë më të fuqishme për të ardhmen e vendit. Tani, kur jemi në prag të jetësimit të idealit suprem të bërjes së shtetit të Kosovës, na nevojitet durim, maturi qytetare dhe institucionale, në mënyrë që dita e shumëpritur e pavarësisë të shënohet solemnisht, me dinjitet dhe nder, ashtu siç i ka hije popullit të Kosovës!