Prishtinë, 4 korrik 2007- Ekipi i Unitetit, i kryesuar nga Presidenti Fatmir Sejdiu, mbajti takimin e radhës. Sipas zëdhënësit të Ekipit të Unitetit, z. Skender Hyseni, sot u diskutuan tri çështje kryesore: zhvillimet aktuale për statusin, plani i aktiviteteve diplomatike dhe përgatitjet e grupeve dhe të komisioneve, si Komisioni kushtetues, Komisioni i zgjedhjeve etj.
Ekipi i Unitetit (EU), theksoi z. Hyseni, konstaton se duhet të vazhdohet të insistohet që sa më shpejt të nxirret një rezolute e re në KS. Po ashtu,EU kërkon urgjentitsht nga Këshilli i Sigurimit që të vërë në votim një draft-rezolutë, në bazë të propozimit të Ahtisarit dhe rekomandimit të tij për pavarësi të mbikëqyrur.“Ekipi i Unitetit rithekson qëndrimin konstant se Kosova nuk mund të presë deri në pakufij, ndonëse preferon një zgjidhje përmes rezolutës, por, në momentin e duhur, do të shohe edhe rrugë alternative të rrumbullakimit të statusit”, tha zëdhënësi Hyseni, duke shtuar se ky ekip mendon se qëndrimi rigjid i Federatës Ruse ka bërë që mos të ketë përparim substancial në procesin e definimit të statusit të Kosovës, edhe pas takimit të fundit ndërmjet Presidentit Bush dhe Putin.“Ekipi i Unitetit këmbëngul që rihapja e Pakos së Ahtisaarit është e papranueshme, shumë e dëmshme dhe nuk ofron asnjë zgjidhje”, pohoi z. Hyseni. Por, vijoi ai, EU-ja e theksoi besimin e fuqishëm që ka te administrata amerikane dhe te Presidenti Bush, si dhe te disa vende të caktuara të Unionit Evropian, për të gjetur zgjidhjen e statusit të Kosovës.Në këtë konferencë me gazetarë, z. Hyseni bëri të ditur se Presidenti Sejdiu pasnesër do të jetë në Berlin, bashkë më z. Thaçi, ku do të takohen me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, z. Steinmayer, ndërsa javën e ardhshme Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Çeku do të jenë në Bruksel, me ftesë të z. Solana.Duke folur për çështjen e zgjedhjeve, z. Hyseni tha se si parim ose konkludim i Ekipit të Unitetit për këtë çështje është se EU në asnji variant dhe rrethanë nuk do ta suspendojë demokracinë.“Ruajtja e një rendi demokratik edhe në rrethana të vështira është shumë më e shëndetshme se suspendimi i demokracisë”, theksoi ai, për ta përfunduar këtë takim me gazetarë me pohimin se “në takimet me miqtë tanë duhet të insistojmë në faktin se Kosova nuk mund të presë deri në pakufij”.