presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, në shënimin e 11-vjetorit të Betejës së Koshares

Të nderuar komandantë të Betejës së Koshares, Të nderuar luftëtarë të Betejës së Koshares, Të nderuar familjarë të të rënëve në Betejën e Koshares,

Sa herë flas për Betejën e Koshares unë ndihem shumë krenar se mund flas për një ngjarje të veçantë të historisë sonë moderne dhe për personalitete shumë të çmuara të kombit tonë.Sot ndihem më krenar sikur edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, se kujtimi për një nga betejat më të lavdishme të popullit tonë, përkon me kremtimin e Ditës së Kushtetutës. Pjesë të Kushtetutës u shkruan edhe nga luftëtarët dhe të rënët e kësaj beteje.Këtu më jepet rasti për të qenë në vendin ku e tashmja dhe e ardhmja jonë mori vlera të lavdisë së përjetshme. Këtu jeton kujtimi i përhershëm për luftëtarët dhe komandantët, për të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.Në çdo 9 prill kthejmë në tokën ku u zhvillua Beteja e Koshares, për të nderuar luftën, sakrificën, rënien dhe fitoren e madhe të luftëtarëve për të mos qenë më robër. Për të kujtuar se nuk ishte lehtë të fitohej liria.Ky vend i bukur na jep mundësinë të jemi krenarë për të kaluarën tonë dhe të përgjegjshëm për të tashmen dhe të ardhmen tonë.Për të punuar më shumë që të krijojmë kulturë shtetërore dhe kështu për të respektuar frytin e sakrificës së të rënëve. Historia nuk është vetëm e kaluar. E kaluara na jep besim dhe na bën të vetëdijshëm për punën e madhe që duhet bërë në mënyrë që vendi ynë të jetë i dashur dhe i respektuar nga qytetarët e saj dhe nga komuniteti ndërkombëtar, që bëri aq shumë gjatë luftës dhe gjatë gjithë procesit të shtetndërtimit. Ne sot falënderojmë edhe ushtarët, komandantët, liderët dhe popujt e gjithë botës, që i dolën në ndihmë, me të gjitha format, popullit tonë të kërcënuar nga shfarosja. Të nderuar pjesëmarrës, Beteja e Koshares është një mësim i madh i shkruar vetëm para 11 vjetëve.Dhimbjet dhe kujtimet ende janë shumë të freskëta.Ushtria e djemve dhe vajzave, organizuar si Grup operativ 3, Brigada 134 dhe Batalioni diversant Delta, më vonë Brigada 138 “Agim Ramadani”, tregoi trimëri të pashoqe. Ushtria që kishte çlirimin ideal, më 9 prill 1999, në një luftë ngadhënjyese, lëvizi përpara, për të mos u kthyer kurrë më mbas. Ishin 114 të rënë që hapën një fushë të re shprese dhe dinjiteti. Këtu u rrënuan gurët e ndarjes dhe u dëshmua se tashmë ata nuk paraqisnin fundin e botës, sikur ndodhi për 80 vjet, por po fillonte një realitet i ri, në të cilin njerëzit do të jenë të lirë dhe të barabartë, pavarësisht dallimeve etnike e fetare.Çdo Betejë e madhe që shënohet në historinë e popujve, çdo betejë madhështore që sjell një realizim të synimeve më sublime njerëzore dhe nacionale, ka edhe prijësit dhe komandantët e saj. Kjo Betejë do të kujtohet përherë për komandantët e lavdishëm, heronjtë e Kosovës, Sali Çekaj dhe Agim Ramadani. Dua edhe një herë të përkujtoj se heroi Sali Çekaj, jurist, politikan, ushtarak e vizionar, ishte ndër të parët që u mor me përgatitjen e rezistencës së armatosur në Kosovë, atëherë kur Serbia po shtrinte egërsisht dhunën dhe krimin shtetëror. Po kështu, heroi Agim Ramadani, oficer karriere dhe artist në qenie, i dha luftës ngjyrën e besimit dhe të mesazhit, se për të luftuar dhe fituar duhet pasur kurajë, guxim dhe forcë të madhe.Komandantët i dhanë fuqi qëndresës së mijëra luftëtarëve, ndërsa besim të madh gjithë popullit. Kur presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova i nderoi Sali Çekajn dhe Agim Ramadanin me Urdhrin më të lartë të vendit tonë, “Heroi i Kosovës”, ai theksoi pikërisht virtytet e tyre që u përkasin vetëm njerëzve të mëdhenj.Të nderuar pjesëmarrës, Vendi ynë i dashur tashmë është shtet i lirë dhe sovran. Ne po ndërtojmë institucionet që do të jenë kontribuuese të fuqishme për qytetarët e vendit tonë. Është e kuptueshme, se ne të gjithë duhet të punojmë më tepër, në mënyrë që të ketë më shumë demokraci, më shumë zhvillim ekonomik, social dhe kulturor. Të ketë më pak probleme e vështirësi që rëndojnë mbi mirëqenien e qytetarit të zakonshëm. Jam i bindur se një Kosovë e zhvilluar dhe e mundësive të barabarta, mbetet ideal i përhershëm edhe i luftëtarëve të Betejës së Koshares, por edhe i të gjithë luftëtarëve të lirisë dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.Edhe këtë herë e përsëris se institucionet e Kosovës do të bëjnë gjithë çka munden për t’u përkujdesur për familjet e të gjithë heronjve dhe dëshmorëve tanë që e skalitën emrin në altarin e lirisë, si dhe për lartësimin e respektit dhe kujtimit për të rënët.Ne u mbetemi borxh përjetë luftëtarëve dhe të rënëve për lirinë e Kosovës. Ne u përkulemi përjetësisht! Zoti i bekoftë dëshmorët e KosharesZoti i bekoftë familjet e dëshmorëve Zoti e bekoftë Kosovën

This site is registered on wpml.org as a development site.