DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit të Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu në prezantimin publik të Strategjisë për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar në Kosovë 2007-2017.

Prishtinë, 29 qershor 2007 –

I nderuari kryeministër Ëeku,
I nderuari ministër Veliu,
Të nderuar përfaqësues të Presidencës Gjermane të BE
Të nderuar përfaqësues të Bankës Botërore në Kosovë
Ekspertë vendorë, pjesëmarrës dhe mysafirë të nderuar,

Më lejoni t?u përshëndes dhe t?u përgëzoj për këtë punë, sa voluminoze aq edhe përmbajtësore dhe me peshë të veçantë për arsimin e Kosovës, të cilën po e kurorëzoni sot falë partneritetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe ekspertëve vendorë dhe të jashtëm.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sikurse edhe Qeveria dhe Kuvendi, kanë bërë hapa të rëndësishëm në definimin e strategjive të arsimit në të gjitha nivelet. Me këtë, Kosova i ka sqaruar synimet që dëshiron t’i  arrijë në arsim dhe shkencë, e vetëdijshme  se ecja jonë përpara lidhet ngushtë me bashkëpunimin  e ngushtë dhe partneritetin me institucionet arsimore evropiane, sepse synojmë që arsimi ynë të jetë i integruar me atë evropian. Zhvillimi i drejtë i arsimit ka vlera të veçanta për të ardhmen tonë. Struktura e re e popullsisë dhe pjesëmarrja e më shumë se e një çereku të saj në procesin e arsimimit, flet qartë për dimensionin e faktorit edukativ në Kosovë. Prandaj, është shumë e rëndësishme përfshirja e plotë e të gjithë fëmijëve dhe të rinjve në arsimim, pa dallim etniteti apo gjinie, dhe krijimi i kushteve normale për mësim cilësor, në mënyrë  që të gjithë të rinjtë tanë të  gëzojnë mundësi të barabarta për zhvillim personal. Në botën bashkëkohore, njeriu si faktor i zhvillimit po fiton gjithnjë  e më tepër primat ndaj faktorëve të tjerë. Prandaj, njerëzit e rinj e të arsimuar mirë do të jenë faktor kyç edhe i ardhmërisë së vendit tonë. Potencialet zhvillimore dhe fuqia jonë ekonomike do të bazohen në dije dhe shkathtësi të fituara në shkollat tona. Zonja dhe zotërinj, Më lë përshtypje të veçantë vizioni i përcaktuar në këtë Strategji. Ne duhet të luftojmë që  vizioni Kosova- shoqëri e dijes… të bëhet realitet dhe atë sa më parë. Me të drejtë e konsiderojmë të nevojshme të integrohemi në rrjedhat evropiane; të konkurrojmë me dije me të tjerët; që dija të bëhet infrastrukturë e mobilitetit të të rinjve për t’u arsimuar dhe për të zgjedhë vend pune, jo vetëm në Kosovë por edhe në tregun evropian. Ne nuk duhet të ndalemi me kaq, sepse arsimi nuk është vetëm resurs zhvillimor por ai është edhe prodhim specifik, prandaj dëshirojmë të arrijmë sa më shpejtë që në nomenklaturën e eksporteve, krahas shumë produkteve kosovare, të zë vend edhe dija e ekspertëve dhe institucioneve tona.  Arsimin e konsiderojmë  si investimin më të mirë në të ardhmen e shoqërisë sonë, në themelet shtetit të cilin po e ndërtojmë. Ai duhet të jetë prioritet i kësaj shoqërie. Zhvillimi cilësor kërkon arsim cilësor, njerëz kreativ, me dije fleksibile, të aftë, të motivuar dhe të përgatitur për zgjidhjen e problemeve.Zonja dhe zotërinj, Shteti i pavarur i Kosovës, që do të pasojë me njohjen e shpejtë ndërkombëtare të tij, do të jetë në kuptimin e plotë të fjalës shteti më i ri në botë – shtet i ri dhe shtet i të rinjve. Ashtu siç perspektiva e të rinjve është e pamohueshme, e pamohueshme do të jetë edhe perspektiva e shtetit tonë të ri. Shpirti i kësaj perspektive është edukimi cilësor, për çfarë përgjegjësia na takon neve. Ju uroj për punën që e keni bërë!

This site is registered on wpml.org as a development site.