DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit Sejdiu, në mbledhjen përkujtimore për Nimon Alimusajn

E nderuara familje Alimusaj,
Të nderuar Zëvendëskryeministra,
Përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale,
Përfaqësues të partive politike,
Zonja dhe zotërinj,

Sot po i shprehim bashkërisht nderimin e fundit Nimon Alimusajt, prindit të dashur, mikut e bashkëpunëtorit të urtë, veprimtarit të palodhshëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit.Nimon Alimusaj po i bashkohet plejadës së madhe të burrave të Kosovës, të cilët i përkasin tashmë botës së amshimit. Pa i veçuar me emra, po theksoj se personalitetet më të spikatura të brezit të tij, gjatë tërë shekullit të jetës e të punës së tyre, u udhëhoqën nga ideali më sublim njerëzor, nga ideali i lirisë.Ky ideal, në rrethana të rënda e specifike në Kosovë, asnjëherë nuk u proklamua si synim për mohimin e lirisë së të tjerëve, pra nuk u bë ideologji e sundimit mbi të tjerët, por me kohë u shndërrua në ideologji të jetësimit të synimeve nacionale për liri, pavarësi e demokraci.Nimon Alimusaj shumë vite ishte anëtar i Kryesisë dhe  nënkryetar  i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë. Në aktivitetin e tij të pandalshëm ai u përball me pengesa e rreziqe të mëdha, pasi puna e tij e pengonte me të madhe pushtetin e atëhershëm të instaluar serb. Për shkak të aktivitetit të tij, Nimoni u arrestua dhe u keqtrajtua rëndë. Por, megjithatë, ai asnjëherë nuk u tremb dhe nuk e zvogëloi aktivitetin e tij.Pa dyshim, Nimoni ishte ndër veprimtarët më të dalluar në mbarë rajonin e Dukagjinit. Në vitet 1998 – 2006, ai ishte anëtar i Kryesisë qendrore të LDK-së dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Rugova. Po ashtu, Alimusaj, në dy mandate, ishte deputet i Kuvendit të Kosovës, ku u dallua me zellin dhe përkushtimin e përhershëm për kryerjen e detyrave, të cilat i ngarkoheshin legjislativit të vendit.Gamë e veçantë e angazhimit të tij, si humanist e si atdhetar, ishte lëvizja e njohur e pajtimit të gjaqeve. Përkrah Profesor Anton Çettës dhe një grupi intelektualësh të tjerë, Nimoni ishte një ndër veprimtarët e parë të këtij aksioni madhështor, i cili jo vetëm që arriti të pajtonte mes vete dhjetëra familje, por, ç’është më e rëndësishmja, ia doli t’i unifikonte qytetarët e Kosovës në përpjekjet e gjithëmbarshme për ruajtjen e qenies sonë kombëtare, e cila po kërcënohej edhe fizikisht nga dhuna sistematike dhe e planifikuar në ish-federatën e atëhershme. Të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi përkujtimor, Është e ditur e përbotshme se njeriu, kur ikën nga kjo botë e vdekshme, ikën krejt vetëm! Njeriu, pra, shkon vetëm dhe nuk merr asgjë! E, pasi që është kështu, e rëndësishme mbetet vetëm ajo që ai lë si kujtim këtejbote. Një urtësi, një vepër e mirë, një fjalë e peshuar… Nimoni na i la të gjitha këto, sepse Ai ishte pedagog i dalluar, studiues i vullnetshëm, mik e koleg i kujdesshëm. Nimon Alimusaj i kishte të gjitha cilësitë e një njeriu të edukuar mirë, të pasionuar pas profesionit të vet dhe thellësisht të përkushtuar për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive që merrte. Kësisoj, ai pati shumë miq kudo, në vendlindje, në gjimnazin e Pejës, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, me të cilin bashkëpunoi vite me radhë, në Kuvendin e Kosovës, ku kaloi moshën e pjekurisë të karrierës së tij politike.Personalisht, kam privilegjin të rikujtoj se Nimonin e kam njohur një kohë të gjatë. Me të kam bashkëpunuar edhe atëherë kur veprimi politik në Kosovë mund të paguhej me kokë, por edhe në ditët e lirisë, kur të gjithë së bashku angazhoheshim për afrimin e ditës së madhe të pavarësisë.Duke i shprehur falënderimin për gjithë atë që ka bërë për Kosovën, shpreh bindjen e paluhatshme se vepra e tij jetësore e kombëtare do të jetë një shembull dhe një frymëzim i veçantë për brezat e ardhshëm në Republikën e Kosovës.Lavdi i qoftë përjetë!Zoti e bekoftë Nimon Alimusajn dhe familjen e tij ! 

This site is registered on wpml.org as a development site.