presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga dhe ambasadori Dell nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell, nënshkruan sot një Memorandum të Mirëkuptimit, për ndihmë të gjithanshme të SHBA-së për Kosovën.

Pas ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit, Presidentja Jahjaga dhe ambasadori Dell dhanë deklaratë për shtyp dhe u përgjigjën në pyetjet e gazetarëve.Po e botojmë të plotë fjalën e Presidentes Jahjaga:Me Ambasadorin amerikan në Kosovë, zotëri Christopher Dell, si përfaqësues i qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nënshkruam sot një memorandum të mirëkuptimit për ndihmën e gjithanshme të SHBA-së për shtetin e Kosovës.E falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmën e vazhdueshme që po i jep vendit tim në forcimin e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik, në përmirësimin e klimës së biznesit, për krijimin e vendeve të punës, për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe për përkrahjen e proceseve integruese rajonale dhe evropiane.Këto janë njëkohësisht prioritetet e institucioneve të Kosovës për një zhvillim të gjithëmbarshëm dhe të qëndrueshëm. Jemi të interesuar që në të gjitha këto fusha, për të cilat e kemi edhe ndihmën dhe përkrahjen e qeverisë së SHBA-ve, të bëjmë reformat dhe transformimet e nevojshme me të cilat i plotësojmë standardet që na mundësojnë të kemi institucione të përgjegjshme, demokratike dhe efektive.Kjo e përshpejton rrugëtimin drejt arritjes së qëllimeve tona strategjike për anëtarësim në Bashkim Evropian, në NATO, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në të gjitha organizatat e mekanizmat tjerë ndërkombëtar.Ne e vlerësojmë shumë ndihmën nga populli dhe qeveria e SHBA-ve që për këto 12 vjet nëpërmjet USAID i ka dhënë 1.2 miliardë dollarë në Kosovë në projekte të ndryshme të rindërtimit, të zhvillimit ekonomik, të nxitjes dhe forcimit të proceseve demokratike në vend, së bashku me ndihmat në fushat e tjera.Vendi dhe populli i Kosovës është dhe do të jetë gjithmonë falënderues për ndihmën që populli amerikan e dha për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, për ndihmën e vazhdueshme në të gjitha lëmitë, në avancimin e proceseve demokratike dhe në forcimin e institucioneve.Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një miqësi të përjetshme që është garanci e stabilitetit dhe e paqes në rajon.Ky është shembull i një partneriteti të mirëfilltë, që bazohet në vlera të demokracisë amerikane, që respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe që sigurojnë një zhvillim të proceseve demokratike me pushtete të ndara, me kontroll parlamentar të qeverisjes, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e shtypit.Ndihma e qeverisë së SHBA-së për realizimin e këtyre synimeve është e mirëpritur nga unë, nga institucionet e Kosovës dhe nga të gjithë qytetarët, tha Presidentja Jahjaga.Në vazhdim, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell u përgjigjën edhe në disa pyetje të gazetarëve. Po japim të plotë konferencën me gazetarë:Kosova Sot: Sot ka filluar dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ka një propozim për menaxhimin e integruar të kufijve, si e vlerësoni ju këtë propozim ?Presidentja Jahjaga : Unë i referohem sikur edhe herëve të tjera siç i jam referuar, sa i përket procesit të dialogut teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, se dialogu jo vetëm që është mënyra më e mirë por, është edhe mënyra e vetme që dy vende të cilat kanë kaluar një proces të konfliktit apo të luftës që mund t’i normalizojnë marrëdhëniet në mes veti. Dhe sidomos çështjet të cilat diskutohen në të gjitha seancat e deritanishme të procesit të negociatave apo dialogut në mes të ekipeve të Beogradit dhe ekipeve të Prishtinës, të gjitha ato duhet të shkojnë në favor të përmirësimit të qytetarëve si të Republikës së Kosovës po ashtu edhe të Republikës së Serbisë. Unë e kam thënë edhe më herët, e them edhe tani dhe e përsëris, të gjitha zgjidhjet që dalin nga procesi i dialogut duhet të jenë zgjidhje evropiane dhe duhet të jenë konform standardeve dhe praktikave më të mira evropiane dhe këtë e kanë dëshmuar deri tani edhe marrëveshjet e deritanishme që janë arritur në këtë kornizë, që çdo marrëveshje ka qenë në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane dhe besoj fuqimisht me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që ka marrë ta themi këtë mandat të ndërmjetësimit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndihmën e tyre të gjitha zgjidhjet tash e tutje që do të jenë, do të jenë në frymën e zgjidhjeve më të mira evropiane për Kosovën por, po ashtu edhe për të gjitha vendet e rajonit. Ne e kemi Kushtetutën, ne i kemi ligjet dhe çdo zgjidhje duhet të jetë konform këtyre kornizave.Ambasadori Dell : E miratoj krejt atë që sapo e tha Presidentja. Po ashtu dëshiroj të shtoj edhe diçka tjetër, që kjo mundëson që menaxhimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, të shkojë në të njëjtin drejtim siç është edhe menaxhimi i kufirit me shtetet e tjera fqinje, siç janë ai me Shqipërinë, me Malin e Zi dhe me Maqedoninë dhe kjo zbatohet sipas modelit evropian për menaxhimin e integruar të kufirit që do të zbatohet së afërmi kur të vijë puna të kufiri. Mendoj se është një zhvillim pozitiv i cili do t’i përmirësoj marrëdhëniet në mes Serbisë dhe Kosovës.Koha Ditore: Zonja Presidente, a do ta respektoni ndonjë marrëveshje të partive politike për zgjedhje të parakohshme presidenciale apo do të vazhdoni ta ushtroni mandatin tuaj të plotë ?Presidentja Jahjaga : Së pari unë nuk jam palë e marrëveshjes duhet të kuptojmë këtë dhe unë jam shumë e koncentruar që t’i përmbush detyrat dhe obligimet e mia.Ambasadori Dell : Unë do të përgjigjem më gjerësisht, njëfarë mënyrë ky është një debat falso, një fushat që po bëhet përpjekje që të të nxitet përmes gazetës suaj dhe gazetave tjera. Në anën tjetër mund të jetë edhe një debat i vërtetë i cili del nga dëshira, vullneti i popullit. Më kujtohet shumë mirë që në Prill, Koha ka qenë një nga ato gazeta që në mënyrë shumë të rreptë është ankuar për marrëveshjen e arritur atëherë duke thënë që është arritur në mënyrë jodemokratike, sepse janë palët pajtuar prapa dyerve të mbyllura. Tash si një proces i këtij dialogu, Komisioni Parlamentar i cili është ngarkuar që të merret me çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe çështjet për ndryshimin e Kushtetutës, pas gjitha atyre bisedave me opinionin publik është shfaqur një ndjenjë e përgjithshme tek qytetarët që nëse ndryshohet mënyra e zgjedhjes së presidentit atëherë duhet të ndryshohen edhe kompetencat apo fuqitë ekzekutive të postit të presidentit.Prandaj, ma merr mendja që Komisioni Parlamentar i ngarkuar me këtë çështje në mënyrë shumë të drejtë ka thënë, a duhet që ta marrim parasysh vullnetin e popullit dhe duhet që të shikojmë me kujdes këtë çështje. Kjo fare nuk është pritur nga askush prej udhëheqësisë politike, gjatë procesit të marrëveshjes por, tash jemi në vazhdën e konsultimeve a është e drejtë që të marrim parasysh vullnetin e popullit. Sa e kam kuptuar unë, ende nuk ka konsensus lidhur me këtë çështje se a duhet në përpikëri neni 84 i Kushtetutës të ndryshojë, në mënyrë që kjo të pasqyrojë edhe mënyrën më ndryshe përmes së cilës zgjidhet presidenti, kjo është një pyetje shumë e drejtë dhe mendoj se Komisioni Parlamentar duhet të merret me këtë çështje.Po ashtu, unë e kam kuptuar se të gjitha aspektet e punës së Komisionit Parlamentar që merret me këtë çështje janë duke iu përmbajtur afatit kohor dhe do të përfundojnë në fund të këtij viti ose në Janar. Prandaj, nëse kjo pyetja shtesë është diçka që del nga populli dhe është e drejtë që të merret parasysh atëherë mendoj se është legjitime dhe po ashtu edhe e përshtatshme që t’i jepet Komisionit Parlamentar më shumë kohë dhe udhëheqësisë politike që ta rishqyrtoj këtë. Unë ende nuk e di se a është arritur ndonjë marrëveshje apo është biseduar lidhur me këtë nga udhëheqësia politike apo nga udheqësia e partive politike por, nëse mendohet se nevojitet më shumë kohë që të merren me këtë çështje në mënyrë që të pasqyrohet vullneti i popullit, atëherë unë e mbështes dhe ma merr mendja që edhe kolegët e mi do ta mbështesin një gjë të tillë.Nuk e di sa kohë do ta marrë një gjë e tillë apo sa i ndërlikuar do të jetë debati dhe a do të ketë ndonjë ndikim në afatet kohore për zgjedhjet e ardhshme por, mendoj që ajo që është më e rëndësishmja, më me rëndësi se afatet kohore është që të respektohet vullneti i popullit.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.