presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu priti ish-Presidentin e Shqipërisë, z. Alfred Moisiu

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, priti sot ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Alfred Moisiu, të cilin e falënderoi për mbështetjen që ai ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Duke e vlerësuar ndihmesën e shtetit shqiptar dhe personalisht të ish-Presidenti Moisiu për çështjen e Kosovës, Presidenti Sejdiu theksoi se populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës do ta kujtojnë gjithmonë me nderimin më të lartë përkrahjen që ka dhënë Shqipëria dhe udhëheqësit e saj për popullin e Kosovës dhe aspiratave të tij për liri, demokraci dhe pavarësi.“Republika e Shqipërisë ka qenë mbështetëse e natyrshme e përpjekjeve tona për çlirimin dhe për zhvillimin e vendit dhe ne na gëzon fakti se kjo mbështetje nuk na ka munguar asnjëherë, as nga pozita, as nga opozita, pavarësisht kush e ka qeverisur Shqipërinë”, tha Presidenti Sejdiu, duke e çmuar kontributin personal të z. Moisiu për arritjet e Shqipërisë në forcimin e demokracisë së brendshme, si dhe në procesin e madh të integrimit euroatlantik.Ndërsa, ish-Presidenti Moisiu e vlerësoi progresin e përgjithshëm që është bërë në Republikën e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë së saj. “Pavarësia e Kosovës po dëshmohet si një faktor i paqes dhe i stabilitetit në rajon”, tha z. Moisiu. Sipas tij, e ardhmja e vendeve tona, pa dyshim, është në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në strukturat e tjera ndërkombëtare.Në këtë takim shumë të përzemërt, gjithashtu, u bisedua edhe për dukuritë e ndryshme me të cilat po ballafaqohen të dy vendet tona, siç janë papunësia, korrupsioni, vështirësitë e zbatimit të plotë të ligjit etj. Por, të dy bashkëbiseduesit theksuan se me gjithë vështirësitë, edhe Shqipëria, edhe Kosova janë në rrugë të mirë për arritjen e standardeve evroperëndimore edhe në këto fusha. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.