presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Pacolli priti shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Britanike, Gjeneralin Sir Peter Wall

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në një takim Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Britanike, Gjeneralin Sir Peter Wall.

“Mbretëria e Bashkuar është mike e madhe e Kosovës, është pjesë e suksesit të Kosovës, ndaj dhe gëzon respektin dhe falënderimet më të mëdha të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës. Prezenca juaj në vendin tona është shumë me rëndësi për ne”, tha Presidenti Pacolli në fillim të takimit.Më tej, ai e njoftoi gjeneralin Wall dhe delegacionin që e shoqëronte me zhvillimet aktuale në vendin tonë, përmbylljen e procesit zgjedhor dhe krijimin e institucioneve të reja, por edhe për sfidat që i presin popullin dhe institucionet e vendit tonë në të ardhmen, sfida të cilat kërkojnë shumë punë dhe angazhimin e të gjithëve. Përveç aspektit politik, Presidenti Pacolli theksoi se Kosova është në gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe duhet shtuar përpjekjet për tejkalimin e kësaj gjendjeje, me qëllim të përmirësimit sa më të shpejtë të jetës së qytetarëve. Një falënderim të veçantë Presidenti Pacolli i dedikoi ndihmës së vazhdueshme dhe shumë të madhe të ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), një ndihmë kjo shumë domethënëse dhe që vlerësohet shumë lart nga institucionet e vendit tonë. Gjeneralin Sir Peter Wall, pasi uroi Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e re, tha se Mbretëria e Bashkuar e ka ndihmuar Kosovën që nga viti 1999 në të gjitha fushat. Ai tha se këtë e kanë bërë në bashkëpunim me kolegët nga NATO, nga BE, EULEX-i dhe kjo ndihmë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në të gjitha fushat. Edhe gjenerali Wall theksoi se sfidat që ka përpara Kosova janë sfidat ekonomike dhe Mbretëria e Bashkuar do të ofrojë ndihmën e saj në përballimin e këtyre sfidave.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.