presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Delegacioni i Kosovës u takua me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, James Steinberg

Nju-Jork, 23 shtator 2010. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, u takua sot në Nju-Jork me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, James Steinberg dhe ndihmëssekretarin e Shtetit për çështjet evropiane dhe të Euro-Azisë, Philip Gordon.Në takim morën pjesës edhe Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni.

Presidenti Sejdiu falënderoi bashkëbiseduesit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për angazhimin e pashkëputshëm në përkrahje të Republikës së Kosovës, në të gjitha periudhat dhe në të gjitha segmentet.

Ai përsëriti në takim se Republika e Kosovës është e përkushtuar për miqësi të përhershme me SHBA dhe çmon shumë angazhimin e administratës amerikane për vendin tonë, në një moment të ri e të rëndësishëm politik të krijuar pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe miratimit të rezolutës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Sejdiu theksoi se pret që SHBA, si edhe deri tash, të vazhdojë ndikimin e saj te shtetet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës që ta ndërmarrin këtë hap, pasi tashmë nuk ka asnjë arsye për hezitim për njohjen e shtetit më të ri.

Presidenti Sejdiu tha në takim se Kosova është e interesuar për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje dhe vendet e rajonit dhe është e gatshme për të biseduar edhe me Serbinë, por gjithnjë në cilësi të dy shteteve të pavarura dhe për çështje që nuk prekin statusin, por për çështje praktike që janë në të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve.

Nga ana e tij, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, James Steinberg përsëriti edhe një herë se qëndrimi amerikan mbi statusin e Kosovës së pavarur nuk do të ndryshojë, duke shtuar se nuk duhet të ketë paqartësi lidhur me qëndrimin amerikan se Kosova është e pavarur dhe sovrane.

Ai gjithashtu çmoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe bisedimeve për çështje praktike mes Kosovës e Serbisë, si dhe siguroi delegacionin e Kosovës se SHBA po vazhdon ndikimin e saj te shumë vende për të shtuar numrin e njohjeve të Republikës së Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.