presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani në intervistë me EFE: Putini synon destabilizimin e tërë Evropës demokratike

Nga: Jordi Kuhs dhe Luis Lidon

Vjenë, 15 prill (EFE).- Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, do të kërkojë ta përdorë Serbinë për të destabilizuar Ballkanin dhe, bashkë me të, të gjithë Evropën Perëndimore, në sulm kundër vlerave demokratike të Bashkimit Evropian (BE).

Kështu paralajmëron presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë virtuale dhënë agjencisë EFE, nga Prishtina, në të cilën bën thirrje që vendi i saj, të njihet nga të gjitha vendet evropiane dhe ato të Amerikës Latine.

Kosova u bë e pavarur në vitin 2008, pas një dekade administrimi të OKB-së pas ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë, e cila nën presidentin autoritar, Sllobodan Millosheviq, i kishte shtypur shqiptarët kosovarë etnikë.

Kjo ndërhyrje e Aleancës, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përdoret tani nga Rusia për të justifikuar pushtimin e saj në Ukrainë, ku synon ta “çlirojë vendin nga nazizmi” dhe të ndalojë një “gjenocid” të supozuar të popullatës rusisht-folëse.

Osmani e përshkruan këtë krahasim rus, thjesht, si “propagandë”, duke përkujtuar se rreth 13,000 njerëz u vranë në Kosovë para ndërhyrjes së NATO-s, dhe se shumica e popullsisë u zhvendos nga kërcënimi i spastrimit etnik.

“Nëse ka diçka për të krahasuar në këto dy luftëra, atëherë janë veprimet e Millosheviqit me veprimet e Putinit”, thotë Osmani, 39 vjeçare, e cila është presidente e Kosovës që nga viti 2021.

Kështu, në të njëjtën mënyrë siç u bë Millosheviqi i njohur si “kasapi i Ballkanit”, “Putini është tani kasapi i demokracisë”, sepse ai nuk po kërkon vetëm të dominojë Ukrainën, por edhe “të shkatërrojë mënyrën tonë demokratike të jetesës”, paralajmëron ajo.

Presidentja Osmani është e alarmuar nga rritja e mundshme e tensioneve në Ballkan, ku Serbia është aleate e Rusisë.

DESTABILIZIMI I BALLKANIT

“Pa dyshim, Putini do të përpiqet të përdorë Serbinë për të destabilizuar rajonin tonë, sepse përmes rajonit tonë ai dëshiron të arrijë Evropën”, thotë ajo.

Serbia, Bosnja Hercegovina fqinje dhe Kosova janë të vetmet vende në rajon që nuk janë pjesë e NATO-s. Në Bosnje dhe në Kosovë ka kontingjente nga Bashkimi Evropian dhe nga Aleanca për të siguruar stabilitet.

Ruajtja e paqes dhe e stabilitetit në Ballkan “do të thotë ruajtje e paqes dhe e stabilitetit në tërë kontinentin evropian”, thotë Osmani, duke kujtuar se Serbia ka kryer dhjetëra stërvitje ushtarake me Rusinë muajt e fundit.

“Ne mbetemi mjaft të shqetësuar, sepse Serbia ka rritur sasinë e armëve që po blen dhe kjo tregon synimet e saj në rajon”, thotë ajo, duke iu referuar mbërritjes së fundit në Beograd të një sistemi modern kundërajror kinez.

Për të garantuar sigurinë e saj, Kosova ka pothuajse 4000 ushtarë ndërkombëtarë në territorin e saj, shumica e të cilëve nga NATO-ja dhe, edhe pse vend i vogël, me më pak se dy milionë banorë, shpreson që së shpejti të jetë në gjendje t’i bashkohet Aleancës.

HYRJA NË NATO

“Unë mendoj se anëtarësimi në NATO është vendimtar. Dua t’u bëj thirrje katër vendeve anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë, sepse ne nuk duhet të vazhdojmë ta shohim këtë vetëm nga pikëpamja e politikës së brendshme”, thotë Presidentja, duke iu referuar Spanjës, Greqisë, Sllovakisë dhe Rumanisë.

Deri më tani, janë gjithsej 117 shtete që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, edhe pse nuk janë vetëm pesë vendet e BE-së, por janë edhe Kina, Rusia, India dhe shumica e vendeve të Amerikës Latine, si Argjentina dhe Brazili që ende nuk e kanë njohur atë.

“Ka ardhur koha që vendet që kanë hezituar deri më tani, ta marrin atë vendim të guximshëm dhe t’u tregojnë autokratëve në mbarë botën se vendet demokratike qëndrojnë të bashkuara përballë tiranisë dhe autokracisë”, thotë Osmani.

“Kosova nuk krijon precedent të rrezikshëm për asgjë dhe për askënd. Përkundrazi!”, shton ajo.

Osmani kujton se Spanja argumentoi se do ta njihte Kosovën vetëm nëse Gjykata Ndërkombëtare e miratonte si të rregullt pavarësinë e vendit, gjë që ndodhi në vitin 2012, megjithatë Madridi ende nuk e pranon sovranitetin e Kosovës.

“Unë mendoj se nuk ka asnjë arsye që Spanja të frikësohet se rasti i Kosovës mund të shërbejë si precedent,” thotë ajo.

“Është koha që Spanja të bëjë një dallim të qartë mes çështjeve të brendshme që mund t’i ketë, nga njëra anë, dhe asaj që bëri Serbia-Millosheviqi, në anën tjetër. Nuk duhet Spanja ta krahasojë veten me një regjim gjenocidal, sepse ajo që ndodhi në Kosovë janë dekada të tëra represioni dhe një regjim i ngjashëm me ‘aparteidin’”, kujton Osmani.

Sa i përket qëndrimit “neutral” të Serbisë përballë agresionit rus ndaj Ukrainës, presidentja kosovare kërkon që BE-ja ta marrë parasysh qëndrimin serb.

“Ata nuk mund të thonë se janë pro-evropianë, por, në të njëjtën kohë, me veprimet e tyre janë pro-Putinit. Ata nuk mund të ecin në dy rrugë në të njëjtën kohë. Ata duhet të zgjedhin njërën rrugë: ose BE-në ose Rusinë”, thotë Osmani, duke iu referuar aspiratave serbe për të hyrë në BE.

Serbia ka negociuar hyrjen e saj në BE që nga viti 2012, ndonëse procesi ka ngecur dhe Beogradi nuk duket i gatshëm të përafrojë politikën e tij të Jashtme me atë të BE-së.

Presidentja rithekson planet e Qeverisë së Kosovës për të kërkuar këtë vit anëtarësimin në BE, njëjtë siç bënë rishtazi Gjeorgjia dhe Moldavia, pavarësisht se në të kaluarën disa vende të bllokut kërkuan ndalimin e zgjerimeve.

“Sa më pak perspektiva të ketë Ballkani Perëndimor për të hyrë në BE, aq më shumë ndikim do të ketë Putini”, përfundon ajo. EFE

This site is registered on wpml.org as a development site.