presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Intervista e Presidentes Osmani për mediumin holandez NRC

Artikulli i plotë në gjuhën shqipe i intervistës së Presidentes Osmani për mediumin holandez NRC.

Pamjet e pushtimit rus të Ukrainës, shkatërrimet, të vdekurit, të plagosurit dhe refugjatët e kanë goditur rëndë Kosovën. Edhe me Presidenten Vjosa Osmani. “Kur shikojmë televizor të gjithëve na kujtohet ferri nëpër të cilin kemi kaluar. Të afërmit e çdo familjeje në Kosovë kanë vdekur, janë zhdukur apo kanë ikur. Tani ne e shohim përsëri atë vuajtje në Evropë”, thotë ajo përmes Zoom-it, para se të udhëtojë nga Prishtina në Bruksel për samitin e Ballkanit Evropian të enjten.

Ndërsa Ukraina ka të ngjarë të jetë në gjendje ta quajë veten një kandidate për BE në fund të kësaj jave, takime po mbahen përsëri për – mungesën e – përparimit për pranimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Një proces që vazhdon prej më shumë se dy dekadash dhe që prej vitesh nuk ka përparuar.

Osmani (40) u desh të largohej nga shtëpia dhe qyteti i saj si gjashtëmbëdhjetë vjeçare për shkak të dhunës serbe. Vitin e kaluar kosovarët e zgjodhën atë presidente. Ajo është “plotësisht në anën e viktimave ukrainase” në luftën ruse. Dhe mbështet me gjithë zemër vendin “i cili lufton më fort se kushdo tjetër për vlerat evropiane” në përpjekjen e tij për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian. Ajo nuk shpreh habi, e lëre më zili, që kandidatura e Ukrainës po merret shumë më energjikisht nga BE-ja sesa ajo e Kosovës dhe e të tjerëve.

Osmani ka këshilla për ukrainasit me ambicie të ethshme evropiane: “Zbutni pritjet tuaja”. Ajo kontrakton gojën për një moment sikur po shijon diçka të thartë, përpara se të buzëqeshë gjerësisht përsëri. “Premtimet e BE-së në asnjë mënyrë nuk mbahen gjithherë. Ne jemi zhgënjyer shumë shpesh.”

Provinca apostate

Osmani nuk e fajëson burokracinë e Brukselit për premtimet e thyera. “Komisioni Evropian është duke bërë punën e tij dhe po kontrollon nëse i përmbushim të gjitha kushtet. Parlamenti Evropian kërkon veprim. Janë shtetet anëtare individualisht që, për arsye politikash të brendshme, e pengojnë procesin çdo herë”. Për shembull, pas reformave radikale kushtetuese dhe madje edhe ndryshimit të emrit të detyruar nga Greqia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë mbajtur në lak për vite me radhë. Sipas Komisionit Evropian, të dyja i plotësojnë të gjitha kushtet për të nisur negociatat zyrtare të anëtarësimit. Por, aty ku Holanda, Franca dhe Danimarka fillimisht menduan se Shqipëria nuk është ende gati, Bullgaria tani vë veton ndaj hapit të ardhshëm për Maqedoninë e Veriut.

Nuk bën që shtetet e tjera, si Kosova, të dënohen për fjalët dhe veprimet e Serbisë

Katër vjet më parë, Kosova, e cila ka më pak se dy milionë banorë, duhej t'i shtohej vendeve nga të cilat qytetarët mund të hyjnë pa vizë në rajonin e Shengenit, por edhe kjo ndalohet, përfshirë edhe nga Holanda. “Njerëzit nga Ukraina, Gjeorgjia, vende të ndryshme të Amerikës Latine lejohen të udhëtojnë lirisht. Por unë – e vetmja – kam nevojë për vizë për të marrë pjesë në samit në Bruksel”, thotë Osmani. “Është një padrejtësi e madhe: diskriminim ndaj popullatës sonë. Ne jetojmë në një geto”.

Kosova është ende shumë prapa vendeve fqinje në procesin e anëtarësimit. Në vazhdën e Ukrainës, ajo dëshiron të dalë zyrtarisht si kandidate këtë vit. “Sepse jemi gati dhe e meritojmë absolutisht”, thotë Osmani. “Ne i kemi bërë detyrat tona të shtëpisë”. Ajo i referohet raporteve ndërkombëtare në të cilat Kosova ka rezultate të mira për zhvillimin demokratik, lirinë e mediave dhe të drejtat e njeriut. Më parë, kandidatura nuk kishte asnjë shans, sepse pesë vende anëtare të BE-së nuk e njohën as pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008. Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qiproja, më shumë se Rusia, Kina dhe Ukraina nuk e pranojnë që provinca renegate nuk i përket më Serbisë.

Osmani shpreson se realiteti i vitit 2022, në të cilin agresori rus pretendon Ukrainën si pronë të saj, do ta bëjë të gjithë BE-në, të kuptojë se nuk duhet të përkulet para pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës dhe ndërsimit të saj në Bosnje dhe Hercegovinë. Se statusquo-ja në Ballkan nuk është më e mjaftueshme. “Vendet në BE duhet të ndalojnë së bërë lëshime për autokratët që promovojnë Putinin”, argumenton ajo.

Besueshmëria

Serbia po tregohet si delja e zezë e tufës së kandidatëve ballkanikë kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë. Presidenti Aleksandar Vuçiq thotë se do të mbetet neutral duke denoncuar pushtimin rus, por jo duke bashkëpunuar me sanksionet evropiane. Në mesin e popullatës serbe, neveria për NATO-n – dhe në një masë më të vogël për BE-në – është më e fortë se ajo për imperializmit rus. Osmani: “BE-ja duhet të dërgojë një sinjal të fortë dhe të qartë se nuk ka vend në BE për ata që rreshtohen me Moskën”.

Disa ekspertë besojnë se kandidatura e Ukrainës dhe entuziazmi evropian në rënie në Serbi, vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor, e ndërlikojnë më tej pranimin e të gjithë aspirantëve. Sipas Osmanit, fqinji i inatosur vetëm mënjanon veten. “Nuk duhet që shtetet tjera, si Kosova, të dënohen për fjalët dhe veprimet e Serbisë.

A është e mundur që Kosova dhe anëtarët e tjerë aspirantë të përfitojnë nga pushtimi rus dhe se po ndërmerren hapa seriozë drejt zgjerimit të mëtejshëm pas viteve të krizës ekonomike, Brexiti, pandemisë dhe mosmarrëveshjeve për sundimin e ligjit me shtetet e reja anëtare në Evropën Qendrore? Edhe nëse vende të tilla si Holanda dhe Franca nuk duket se duan një Bashkim më të madh. Osmani shpreson se lufta “do ti bëjë me dije BE-së  se zgjerimi i cili përfshinë Ukrainën dhe Kosovën është me rëndësi jetike gjeostrategjike”. Dhe se për besueshmërinë e saj 'duhet të ndërmerren hapa të qartë dhe konkretë me anë të të cilave BE-ja respekton marrëveshjet e mëparshme'.

Siç është përfundimisht edhe i liberalizimit të vizave për kosovarët. A do të ketë sukses Osmani në samitin e Brukselit këtë të enjte? “Unë shkoj gjithmonë atje me shpresë, por pa shumë pritshmëri”, thotë ajo me një psherëtimë. “Le të shpresojmë se nuk do të jetë një tjetër zhgënjim”.

Intervisten e plotë mund ta gjeni këtu
Foto: NRC

This site is registered on wpml.org as a development site.