presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

BBC: SEJDIU: PAVARËSIA BRENDA DISA DITËSH

Unë mund të them po se një kornizë është e përafërt, e saktësuar. Kanë mbetur edhe disa prej konsultave apo edhe përgatitjeve të nevojshme që duhet të bëhen dhe këto duhet t’i bëjmë.BBC: Zoti president ka pasur ditëve të fundit shumë fjalë se mund të ndodhë, por ka pasur shumë kërkesa nga disa nga faktorët ndërkombëtarë se pavarësia e Kosovës duhet të kryhet pikërisht një ditë pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi, pasi të kryhet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

BBC: Zoti president ka kohë që po flitet për shpalljen e pavarësisë të koordinuar të Kosovës, ka kohë që po flitet për data të caktuara, në fakt qytetarët e Kosovës çfarë do t’i këshilloni, ku është procesi i pavarësimit të Kosovës sot? Fatmir Sejdiu: Po mund të them që ka kohë që jemi në koordinim dhe kjo është kohë e gjatë. Them edhe për proceset e rëndësishme që kemi filluar por edhe rreth çështjes së përfundimit të procesit të statusit politik të Kosovës. Dhe mund të them edhe njëherë paralelisht se asnjëherë nuk kam dhënë asnjë datë të saktë, se mund të jetë kjo ditë apo ajo ditë. Flas nga pjesa e përgjegjësive të mia të drejtpërdrejta. Mbase mund të ketë njerëz që kanë dhënë orientime në kuptimin e prognozave ose shfaqjes të ndonjë ideje se mund të jetë në këtë moment apo si. Ajo që është e rëndësishme është se në të vërtetë jemi në përmbyllje të procesit, jemi me mbështetjen e fuqishme sikur që e kemi pasur nga vendet kyçe të botës, flas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian dhe të botës demokratike që e kanë mbështetur projektin Ahtisaari, si një zgjidhje e mirë optimale dhe e qëndrueshme, për statusin politik të Kosovës. Pra pavarësinë e mbikëqyrur fillimisht dhe një mirëbesim për ecjen tonë të suksesshme që do ta kemi në projektin tonë, që ta zhvillojmë si shtet i pavarur dhe sovran, si shtet i të gjithë qytetarëve. Prandaj mund te them se janë edhe pak ditë, s’mund ta saktësoj edhe sot nga ky moment, por mbase për pak kohë do të kemi edhe një qëndrim të prerë e të qartë se kur parlamenti i Kosovës do të tubohet për të dhënë edhe ai fjalën e vet në kuptim të artikulimit apo edhe të ri-artikulimit të vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës. BBC: Pra kjo do të thotë se ju saktësisht e dini se kur mund të ndodhë një hap i ardhshëm për statusin e Kosovës?Fatmir Sejdiu: Unë mund të them po se një kornizë është e përafërt, e saktësuar. Kanë mbetur edhe disa prej konsultave apo edhe përgatitjeve të nevojshme që duhet të bëhen dhe këto duhet t’i bëjmë. BBC: Zoti president ka pasur ditëve të fundit shumë fjalë se mund të ndodhë, por ka pasur shumë kërkesa nga disa nga faktorët ndërkombëtarë se pavarësia e Kosovës duhet të kryhet pikërisht një ditë pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi, pasi të kryhet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Fatmir Sejdiu: Unë nuk dua t’i lidh me zhvillimet në Serbi veprimet tona. Gjithmonë ka pasur insistime që ato të interferojnë në një formë apo formë tjetër, të jenë pengesë e zhvillimeve në Kosovë, sikurse ka edhe kërkesa të vazhdueshme, tash të them e sa kohë nga ana e Serbisë dhe mbështetësve të saj që proceset të zgjasin me bisedime derisa të gjendet një kompromis i mundshëm apo formë tjetër, që ne i kemi kundërshtuar nga një arsye tjetër se çdo gjë tjetër është irracionale në procese të reja dhe është kundërproduktive dhe status-quo-ja si e tillë është e paqëndrueshme. Këtë e kemi thënë edhe në takimet që kemi pasur me treshen ndërkombëtare dhe ky qëndrim është prezantuar edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Prandaj, mund të them se për ne është me rëndësi që të bëjmë hapat tonë që do të jenë të shpejtë, do të jenë hapa racionalë dhe të dinjitetshëm. BBC: Mund ta shpallni në datën tre? Fatmir Sejdiu: Unë nuk lidhem me datë, ju thashë edhe përpara. Do të jetë para apo pas. Nuk mund të lidh momentin. E çmoj këtë kureshtjen tuaj me pyetjen që e thoni në këtë moment. Është me rëndësi që ne me të vërtetë ta bëjmë një moment që do të jetë zgjidhja racionale e jona që nxjerr vendimin e pjekur, vendimin e mbështetur. BBC: Zoti president është folur shumë që plani Ahtisaari do të jetë baza, ta them, për ecjen tutje të Kosovës. Në fakt do të ndërlidhet me statusin, pikërisht me fazën e deklarimit të statusit të Kosovës, apo do të jetë fazë e mëvonshme zbatimi i planit Ahtisaari? Fatmir Sejdiu: Ne e kemi dhënë një zotim për projektin Ahtisaari në Parlamentin e Kosovës, në 2007 në pranverë. Dhe është dhënë një zotim pa ekuivoke, është dhënë një zotim se Kosova mbetet besnike në implementimin e tij praktik duke pasur parasysh se është një projekt në të cilin është harxhuar energji e madhe edhe vendore edhe ndërkombëtare dhe në një projekt që ka mbështetjen e vet të fuqishme dhe përkundër faktit që kanë qenë angazhime shtesë, treshja kombëtare dhe respektin tonë që kemi kapërcyer.Ne kemi thënë se do të vijmë prapë në atë pikë. Qytetarët e Kosovës në përgjithësi dhe institucionet vetë e kanë mbështetur këtë projekt prandaj ne do të shkojmë në zbatimin praktik sipas një dinamike normale që kërkon koha. BBC: Ju do ta shpallni në mënyrë të koordinuar pavarësinë e Kosovës por Beogradi zyrtar edhe Rusia, Moska zyrtare kanë qenë kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Si i cilësoni marrëdhëniet me Beogradin dhe Serbinë në këtë fazë kur ju pritet ta shpallni pavarësinë e Kosovës? Fatmir Sejdiu: Unë mund të them tre elementë të rëndësishme që duhet të jenë dhe duhet të prezantohen si pjesë e qëndrimeve tona shumë të qarta. E para, është se ne nuk do të mbajmë dhe nuk do të përdorim fjalor i cili nxit tension dhe fjalor që me gjithë përmbajtjen e tij, i takon së kaluarës.Ne jemi shumë të interesuar që në të ardhmen të kemi raporte të mira me Serbinë si shtet, natyrisht Kosova si shtet, si dy shtete sovrane. Dhe kjo besoj se do të jetë formula më e mirë në kuadër të bashkëpunimit edhe rajonal, të sigurisë rajonale por edhe të perspektivës së përgjithshme të qytetarëve. E dyta, është këtë qasje ne e kemi për hir të konceptit tonë të përgjithshëm proevropian që të bëhet një lëvizje e rëndësishme në projektin e integrimeve në Bashkimin Evropian dhe për ne si vend sovran që do të njihemi ndërkombëtarisht, do të jetë shumë e favorshme që të gjitha këto vendet e rajonit të jenë në këtë koncept pra edhe vetë Serbia të lëvizë nga kjo qasje që ka tani. Dhe e treta, që është shumë e rëndësishme, është një qasje që e kemi për komunitetet e pakicës, në këtë rast komunitetin serb, që do të duhej të shërbejë si një urë apo faktor i rëndësishëm i mirë ndërlidhës për fqinjësinë e mirë që duhet të kemi me Serbinë. Ne asnjëherë nuk e kemi mohuar të drejtën e Serbisë që të interesohet për qytetarët serbë që janë këtu në Kosovë në kuadër te asaj që është pjesë konvencionale që është në konventat ndërkombëtare dhe të drejtat e çdo shteti amë që do të ketë një kujdes të veçantë. Çështja tjetër që mund të lidhet me kontekstin e pyetjes suaj është se po të pyetej vullneti i Serbisë dhe në këtë rast edhe i pajtimtarëve të saj nuk do të bëhej edhe intervenimi ndërkombëtar për ndërprerjen e krimeve të njerëzimit dhe gjenocidit në Kosovë. Prandaj, unë nuk besoj se bashkësia ndërkombëtare do të stërzgjatet në dilema, të them, për të njohur pavarësinë e Kosovës, por kjo do të ndodhë shpejt sepse është çështje që hap perspektivën e zhvillimit tonë si popull, si vend, por edhe si rajon, një problem ende i pambyllur ndërkombëtar deri tani. Jemi në këtë kah, jemi në këtë bashkëpunim të thellë, prandaj çdo qasje tjetër, për të trembur njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe marrjen e vendimit tonë paraprakisht është pjesë e atyre dëshirave dhe iluzioneve për ta mbajtur Kosovën peng dhe për ta mbajtur pezull me një bindje të vazhdueshme se në këtë kontekst të infiltrimit të rrugëve apo të krijimit të tensioneve të caktuara ta destabilizojë jetën e saj. BBC: Zoti president, por zyrtarët rusë kanë thënë se, edhe sikur të njihet në mënyrë të njëanshme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës pavarësia e saj, Moska zyrtare nuk do ta pranojë asnjëherë hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Fatmir Sejdiu: Unë nuk dua të bëj polemikë me qasje që vijnë në forma të tilla. E rëndësishme për ne është që të hyjmë me një hap që ka mbështetje ndërkombëtare dhe mbështetja ndërkombëtare do të shtohet. Do të jetë gjithashtu një hap që, me racionalitetin e vet dhe me ecjen e mëtejshme dhe me dëshmimin e Kosovës si vend i qëndrueshëm dhe vend i perspektivës për të gjithë qytetarët e saj, do të ketë sigurisht edhe ndikimin real në qasjet hezituese që mund të ketë ndonjë vend, pra në këtë rast edhe qasja që ka shprehur diplomacia ruse deri në këtë periudhë. BBC: Ju jeni të bindur se Kosova nuk do të kthehet më në Këshill të Sigurimit të OKB-së. Fatmir Sejdiu: Unë jam i bindur se çështja e Kosovës do të zgjidhet drejt, do të zgjidhet mirë dhe do të ketë mbështetje ndërkombëtare të saj. BBC: Por jo përmes Këshillit të Sigurimit… Fatmir Sejdiu: Natyrisht që është një rrugë tjetër. Këshilli i Sigurimit është provuar se do të ishte rruga më e mirë mbështetëse e përbashkët e të gjithëve, por është hedhë një bllokadë e cila ka bllokuar procesin. Për ne është me rëndësi që edhe ky është proces ndërkombëtar dhe ky është proces i artikulimit të vullnetit të popullit të Kosovës në parlament, në sovranin e saj, dhe natyrisht, mbështetja, qeveria, është rezultat i vlerësimi të këtij vullneti. BBC: Zoti president, kur folët për të drejtën e Beogradit zyrtar që të interesohet për qytetarët e Kosovës, sipas planit Ahtisaari mund të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë të komunave serbe me Beogradin. I njihni këtë të drejtë Beogradit zyrtar dhe serbëve të Kosovës? Fatmir Sejdiu: Atë që e kemi pajtuar me projektin Ahtisaari atë të drejtë e mbështesim edhe tash edhe në vazhdimësi, sepse është një projekt që ka të bëjë me fatin e qytetarëve të Kosovës. Ka çështje që sigurisht janë kompromise të mëdha, por ne e kemi bërë këtë për një hir të perspektivës dhe integrimit më të shpejtë të të gjithë qytetarëve, e në këtë rast të pjesës hezituese të pakicës serbe edhe pse kemi sinjale të mira shumë prej një pjese të rëndësishme të saj, që janë integruar, janë në institucionet e sistemit dhe do të bëjnë përfaqësimin e qytetarëve serbë në mënyrë shumë normale. Prandaj për ne është e rëndësishme që t’i inkurajomë këta njerëz që të jenë pjesë e proceseve, të jetës së përgjithshme por edhe të jetës institucionale për të hapur perspektiva të reja të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës. Pra edhe në këtë kuadër, që ne mund ta quajmë të bashkëpunimit të ndërsjellë qytetar apo të pajtimit qytetar.BBC: Zoti president, a do t’i bënit ftesë Bashkimit Evropian që të vendosë misionin e tij në Kosovë përmes deklaratës për pavarësinë e Kosovës? Fatmir Sejdiu: Unë besoj se ne jemi në procese paralele që do të zhvillohen. Natyrisht për ne është e mirëpritur prezenca e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë, që është një projekt që gjendet edhe në Ahtisaarin. Po ashtu është edhe prezenca e trupave të NATO-s që është garant i rëndësishëm i stabilitetit jo vetëm në Kosovë por edhe rajonal, dhe është, ne e themi gjithmonë, një shtytje apo mbështetje e fuqishme dhe e veçantë për shpejtimin e rrugës sonë për integrime euroatlantike. Prandaj këtë kah kemi dhe kështu do të ecim, dhe këta do të jenë të ftuar natyrisht. BBC: Dhe kjo do të bëhet njëkohësisht me shpalljen e pavarësisë? Fatmir Sejdiu: Po besoj se në këto momente të deklarimit të pavarësisë së Kosovës do të jetë edhe deklarimi jonë për prezencën. BBC: Zoti president më lejoni të bëj një pyetje të fundit që ndërlidhet me të gjithë procesin e Kosovës nëpër këto vite të kaluara. Si do ta kishit përcaktuar një lloj interesimi të bashkësisë ndërkombëtare nga vitet e kaluara deri më sot për Kosovën? Fatmir Sejdiu: Unë mund të them se janë arritur rezultate, është arritur një distancë e mirë pozitive nga koha e instalimit të misionit të UNMIK-ut në Kosovë dhe është përgatitur një taban i mirë dhe i qëndrueshëm i funksionimit të institucioneve demokratike të Kosovës dhe të rigjallërimit të jetës ekonomike të qytetarëve të saj për sa i përket cilësisë. Mund të them paralelisht se ka pasur procese që mund të ishin kryer më shpejt. Mund të them paralelisht që ne, sigurisht, nuk e kemi pritur që ky proces të jetë kaq i gjatë, sepse investimet kanë qenë dhe gjithë bindja jonë ka qenë se kjo do të kalohet në tre, eventualisht maksimalisht pesë vjet – po bëhen gati nëntë vjet. Por një gjë që mund të thuhet është se gjatë kësaj periudhe ne kemi arritur që po ashtu të shkrijmë shumëçka në pjesën e qasjeve tona për të ecur me standardet ndërkombëtare. Pra, ato që janë primare me standardet evropiane që do të na shërbejnë pastaj për të shkurtuar këtë rrugën tjetër të integrimeve me këtë pjesë të prezencës civile që do të jetë në Kosovë. Por si çdo mision ndërkombëtar që ka homogjenitetin e strukturave që ka pasur në Kosovë, sigurisht që janë vërejtur edhe në qarqe më aktive apo qarqe pak më të ngathtë në veprimtari të caktuara. Sido që të jetë, ka dhënë një efekt pozitiv në të përgjithshmen dhe mendoj se Kosova është një shembull i mirë i investimit ndërkombëtar për të shpëtuar, në radhë të parë, popullin e saj nga zhbërja, nga një politikë vrastare që ka qenë e planifikuar, që të vritet i tërë një popull, apo që të dëbohet i tërë një popull nga trualli i vet, nga vendi i njerëzve që janë të një autoktonie të gjithmonshme, do të thosha, dhe e dyta, po ashtu, me këtë është dhënë një përgjigje se nuk mund të vazhdohet me politika të tilla. Prandaj kemi edhe këtë qasje që Kosova, institucionet e saj, qytetarët e Kosovës, i janë mirënjohës këtij angazhimi ndërkombëtar dhe natyrisht një mundësi e madhe që Kosova ka shprehur identitetin e saj përmes edhe këtyre njerëzve, pra cilët jemi, se nuk jemi ata që na kanë përshkruar në qasjet edhe historiografike edhe të politikave të hershme të atyre që kanë projektuar zhbërjen tonë, por jemi diçka tjetër, jemi njerëz, që jemi pjesë të një trualli të vjetër të Evropës dhe kemi përfillur e përfillim rregullat e civilizimit dhe jemi pjesë e këtij civilizimi.  

This site is registered on wpml.org as a development site.