Presidentja Atifete Jahjaga u takua me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot në Dubrovnik të Kroacisë, me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, zotëri Bujar Nishani, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në rajonin e Ballkanit në përgjithësi.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Nishani vlerësuan marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe theksuan nevojën e konkretizimit të platformave të bashkëpunimit, në veçanti në fushën e ekonomisë, duke u bërë shembull i bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit.
 
Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Nishani thanë se pjesëmarrja e vendeve të rajonit, në cilësi të barabarta, në nismat rajonale, ndihmon gjithë Ballkanin Perëndimor ne rrugën e tij evropiane dhe siguron fqinjësinë e mirë si dhe stabilitetin rajonal. Ata thanë se procesi i Bërdo-Brioni është një nismë shumë e mirë, që siguron përfshirjen edhe të BE në projektet e përbashkëta të vendeve të rajonit në fushën e infrastrukturës dhe të energjisë.
 
Ata biseduan edhe për zhvillimet e tjera politike në Kosovë dhe Shqipëri.
 
Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Nishani, së bashku me presidentët e vendeve të tjera të rajonit, po marrin pjesë në Samitin Bërdo-Brioni që mbahet në Dubrovnik të Kroacisë, me mikpritjen e Presidentit Ivo Josipoviq si dhe me pjesëmarrjen e kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë zonjën Angela Merkel.