Presidentja Atifete Jahjaga priti Kryeministrin e mandatuar të Shqipërisë, Edi Rama

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim Kryeministrin e mandatuar të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Prishtinë.

Presidentja Jahjaga i uroi mirëseardhje Kryeministrit të mandatuar, z. Edi Rama, duke e përgëzuar atë për zgjedhjet e lira dhe demokratike parlamentare. Ajo theksoi se është detyrë e liderëve të vendit të ofrojnë platforma politike dhe programe të zhvillimit, që synojnë përparimin e vendit, të cilat gjejnë përkrahjen e popullit ndaj vizionit dhe zbatimit të tyre.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe Shqipëria kanë bërë progres të konsiderueshëm dhe kanë të gjitha mundësitë për të vënë në pah vlerat më të mira, duke pasur mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve dhe BE-së.

Presidentja Jahjaga shprehu rëndësinë e projekteve të përbashkëta në shfrytëzimin e resurseve natyrore të të dyja vendeve dhe në plan rajonal, duke theksuar se “zotërojmë një potencial të rëndësishëm, rininë, nevojën e jetësimit të ëndrrave të tyre dhe rëndësinë e përfshirjes së tyre konkrete në zhvillimin e dy vendeve tona”.

Presidentja Jahjaga vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe tha se Kosova mund të mësojë nga reformat që Shqipëria tashmë ka ndërmarrë në përmbushjen e kritereve të nevojshme për anëtarësim. Ajo vlerësoi angazhimin e z. Rama për ndërtimin e urave dhe bashkëpunimit si kontribut në të mirë të ardhmes tonë dhe të paqes dhe stabilitetit ne rajon.

Z. Rama vlerësoi rolin e Presidentes Jahjaga dhe të gjithë udhëheqjes në Kosovë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ky proces ka hapur një epokë të re të bashkëpunimit rajonal. Ai shprehu përkushtimin e qeverisë së tij ndaj projekteve të përbashkëta dhe krijimin e një platforme, siç tha, të bashkëqeverisjes strategjike ndërmjet dy qeverive si dhe duke synuar përfshirjen e vendeve të rajonit dhe të mbështetjes së tyre nga financimet ndërkombëtare.

Ai theksoi rëndësinë e krijimit të projekteve afatgjate dhe shprehu përkushtimin e qeverisë së tij në shkëmbimet në mes dy vendeve që do të jenë në funksion të gjeneratave të ardhshme, sidomos në fushën e arsimit, kulturës dhe sportit.