Presidentja Jahjaga mori pjesë në “Takimet e Gjeçovit” në Zym të Hasit

(Presidentja Jahjaga u nderua me Çmimin “Unaza e Katarina Josipit”.)

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë në manifestimin jubilar, të 40-tin, në “Takimet e Gjeçovit” në Zym të Hasit.
 
Me këtë rast, Presidentja Jahjaga u nderua me Çmimin “Unaza e Katarina Josipit”, si dhe mbajti një fjalim të cilin po e sjellim në vijim:
 
Shumë të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,

Të nderuar shkrimtarë dhe dashamirës të letrave shqipe,
Të nderuar priftërinj zyrtarë të Kishës katolike,
Të nderuar zymjanë, banorë të këtij lokaliteti me traditë,
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Ju përgëzoj për mbajtjen e manifestimit të dyzet jubilar “Takimet e Gjeçovit” që është një aktivitet tradicional, që mbahet falë punës dhe përkushtimit të Juve banorëve të Zymit, të klubit letrar “Shtjefën Gjeçovi”, pastaj të komunës së Prizrenit dhe të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës.

“Takimet e Gjeçovit” janë të rëndësishme jo vetëm për shkak të simbolikës që e kanë por veçanërisht për prurjet në ruajtjen e trashëgimisë dhe kultivimin e vlerave letrare, kulturore dhe shkencore.

Të jesh në Zym, të marrësh pjesë në manifestimin e Kuvendit apo të Kuvendimeve të Gjeçovit, që Ju e kemi emërtuar simbolikisht “Takimet e Gjeçovit” e të mos flasësh për këtë figurë poliedrike të kombit, që në binomin “Fe e Atdhe” i la trashëgim të pasur letërsisë, arkeologjisë dhe shkencës, është e pamundur.

Në cilësinë e Presidentes së vendit mue më bjen me folë për aktivitetin politik dhe atdhetar të Shtjefën Gjeçovit, dhe duke bërë një hulumtim të jetës e të veprës së këtij dijetari, unë e pashë se te ai është çdo gjë e lidhur me atdheun, me lirinë, me përparimin e emancipimin e popullit të vet

Shtjefën Gjeçovi ishte prift, françeskan, duke njohur veprat e tija, dhe nëpërmjet tyre edhe shpirtin e tij, unë besoj se ai u përcaktua për prift që të rrisë dijeninë, që të shkollohet dhe të bëhet më i dobishëm për njerëzit. Ndërsa u bë françeskan që të jetë më afër popullit dhe të jetojë në kushtet në të cilat jetonin njerëzit e racës së tij, siç thoshte. Kisha Katolike ishte gjithherë me popullin, në të shumtën e rasteve në ballë të përpjekjeve për liri, dhe për emancipim, dhe roli i priftit ishte i madh në çrrënjosjen e zakoneve të prapambetura që hynin këtu, me ndikimet e huaja, ndonjëherë edhe me plan e me qëllim të caktuar, si ishin besëtytnitë dhe magjitë, që përhapeshin lehtë, si shpresë e rrejshme për popullin e vuajtur dhe për zgjidhjen e telasheve me të cilat ballafaqoheshin.

Shtjefën Gjeçovi u bë arkeolog, sepse donte të dëshmonte lashtësinë tonë në këto troje, sepse dëshironte të tregonte se dikur kishim nam e gjurmë dhe se e bënim historinë e cila është për t’u krenuar. Arkeologjinë, Gjeçovi e hulumtonte me përkushtim, duke hyrë në shpellat më të largëta, duke shkuar në humbësirat e Malësisë, duke mbledhur artefaktet, që të mos i gjejnë e marrin të tjerët, që mos të na e vjedhin historinë sepse duke e vjedhur të kaluarën dëshironin të na e humbin të ardhmen.

Prandaj Gjeçovi bëri studime për trashëgiminë pellazge dhe për trashëgiminë ilire te populli shqiptar, që mbesin nga studimet më serioze të bëra në këtë fushë.

Shtjefën Gjeçovi u mor me mbledhjen e trashëgimisë gojore të popullit tonë. Këtë e bëri për të mos e lënë që të humbet ky thesar i çmueshëm për të treguar motivet dhe nivelin e lartë artistik dhe filozofik të gjeniut popullor.

Shtjefën Gjeçovi u mor me krijimtari letrare. Shkroi drama që nuk ishte zhanër i lëvruar në krijimtarinë tonë. Këtë e bëri në formën e traditës tonë të rrëfimit, për të ndikuar më shumë edhe nëpërmjet inskenimit apo të marrjes dhe të përfoljes në popull të pjesëve dramatike të veprave të tij.

Shtjefën Gjeçovi i vuri kunorë veprës së tij me mbledhjen e Kanunit të Lekës, punë kjo që i mori tridhjetë vjet, dhe që në grumbullimin me përkushtim, dhe në kodifikim i ngjan sistemimit e kodifikimit të librave të shenjtë. Me këtë vepër ai shpërtheu pas vdekjes në rrjedhat botërore. Me Kanunin, Gjeçovi dëshmoi se ne si popull ishim të organizuar, e nuk ishim fise të egra e pa ligje, ndërsa me natyrën e organizimit kanunor e dëshmoi se ne ishim më lartë, dhe se Kanuni ishte më human dhe ma i drejtë sesa Kanunet e popujve të tjerë të mesjetës, por edhe më vonë.

Më lejoni, duke pasur parasysh karakterin e këtij manifestimi, t’i them dy çështje rreth Kanunit të Lekë Dukagjinit.

E para: Ky Kanun në gjitha nenet dhe paragrafët e tij e respekton njeriun, dinjitetin e tij personal dhe familjar. Kanuni nuk e njeh të drejtën e ndëshkimit si dëmtim dhe poshtërim të dinjitetit. Në Kanunin e Lekës, nuk ka rrahje publike të personit, nuk ka gjymtim të trupit.

E dyta: Me Kanunin e Maleve të njohur si Kanuni i Lekë Dukagjinit, pasardhësit të Skënderbeut në rezistencën kombëtare kundër pushtimit otoman, rregullohet jeta e njerëzve, dhe kjo e pamundësonte zbatimin e Sheriatit në këto troje dhe te populli ynë, qoftë i besimit katolik apo i besimit mysliman. Në trojet shqiptare nuk mund të paramendohej që autoritetet osmane t’ia këpusnin dikujt dorën, të akuzuar për vjedhje, ose që dikujt t’i jepeshi pesëdhjetë kamxhik publikisht trupit. Pra ky Kanun ruajti nderin dhe dinjitetin e njeriut dhe dinjitetin kombëtar gjatë më shumë se pesëqind vjetëve.

Kanuni i Lekë Dukagjinit e ka parimin që “lajmësi nuk ndiqet”. Pra lajmëtari duhet të respektohet e nderohet pa marrë parasysh çfarë lajmi e prej kujt e sjell, që sot përshtatet mirë me lirinë e fjalës dhe lirinë e shprehjes, tash është pjesë e traditës, dhe ne sot qeverisemi sipas ligjeve të civilizimit bashkëkohor evropian duke i pasur në vete të arriturat e popujve të përparuar. Dhe në këtë udhë Republika e Kosovës e ka vendin në Bashkimin Evropian ndërmjet popujve e shteteve të lira të barabarta e të dinjitetshme.

*****

Në vijim të këtyre takimeve, Presidentja Jahjaga vendosi lule para shtatores së Shtjefën Gjeçovit, ndërsa Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji ia dorëzoi çmimin tradicional “Unaza e Katarina Josipit”.

Pasi mori këtë çmim, Presidentja Jahjaga tha se ndjehet shumë e nderuar që u nderua me një shpërblim që mban emrin e aktores së madhe Katarina Josipi.

Presidentja Jahjaga tha se Katarina Josipi mbetet simbol i një gruaje të emancipuar, që e deshi profesionin, e deshi atdheun dhe e deshi popullin.