Presidentit Thaçi i ndahet titulli ‘Doctor Honoris Causa’ nga Universiteti i Tetovës

Tetovë, 14 tetor - Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot Universiteti Shtetëror i Tetovës i ka ndarë titullin ‘Doctor Honoris Causa’.

Në akademinë solemne, presidenti Thaçi ka thënë se Universiteti i Tetovës është pikë e patejkalueshme e trekëndëshit akademik Prishtinë – Tiranë - Tetovë.

Ai ka thënë se lidhja e Prishtinës me Tetovën, Shkupin, Prizrenin, Kërçovën, Gjakovën, Dibrën dhe me qendra tjera urbane ku jetojnë shqiptarët është një lidhje historike, kulturore, arsimore, familjare e kombëtare dhe mbi gjitha vëllazërore.
 
“Prishtina, Shkupi dhe Tetova janë gjithnjë e më afër njëra-tjetrës. I lidhë historia, e sotmja dhe e ardhmja. Liria e njërës është produkt i tjetrës dhe e kundërta. Liria jonë është produkt i yni i përbashkët”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Ndërtimi i autostradës Arben Xhaferi është infrastrukturë e ofrimit të qendrave tona”, ka thënë ai.
 
Presidenti Thaçi ka thënë se në Tetovë ka shkuar tash e sa decenie në kapacitete e kohëra të ndryshme dhe se kujtimet e tij për këtë hapësirë janë të llojllojshme.
 
“Në fakt, nga ky vend sot mund të përkujtojmë shumëçka që ka të bëjë me ne, si gjeneratë dhe si popull. Dikur elita e shqiptarëve në Maqedoni, sikurse e gjithë shqiptarëve tjerë në ish Jugosllavi, formohej në Universitetin e Prishtinës. Mu aty, në ambiente universitare ka lind dhe është zhvilluar ideja e një gjenerate që do të di t’i mbrojë interesat kombëtare, në thyerje kohësh dhe sfidash me përmasa historike. Kjo elitë edhe sot udhëheq me jetën politike, akademike dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoni”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
Ai ka shtuar se nga kjo retrospektivë mund të evokojmë situata nga më të ndryshmet për këtë rrugëtim të përbashkët dhe të suksesshëm.
 
“Para disa dekadave ishim aktorë dhe dëshmitarë të një procesi të madh ndryshimesh historike”, ka thënë ai, duke shtuar se rruga për të ardhur këtu sot është produkt i sakrificës së madhe edhe të kësaj gjenerate, si vazhdimësi e pandërprerë e përpjekjeve të gjeneratave para nesh.
 
Në akademinë e ndarjes së titullit ‘Doctor Honoris Causa’, presidenti Thaçi ka folur edhe për marrëveshjen e Ohrit.
 
Ai ka thënë se synimet e përbashkëta, si të Kosovës, ashtu edhe të Maqedonisë, përputhen me aspiratën reale për të qenë së bashku pjesë e familjes euroatlantike.
 
Titullin ‘Doctor Honoris Causa’, presidenti Thaçi ka thënë se e ndjen si çmim për gjeneratën e tij, për gjithë ata studentë nga Kosova e Tetova, që së bashku sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe emancipimin e shqiptarëve kudo ku ata gjenden.

Pjesëmarrës në këtë akademi solemne ishin liderët politikë të shqiptarëve në Maqedoni, zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe Kuvendit në Maqedoni, kryetarja e komunës së Tetovës, përfaqësuesit e komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, rektorë dhe përfaqësues të shumicës së universiteteve publike në Maqedoni, Shqipëri e Kosovë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, përfaqësues të shoqatave të të burgosurve politikë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në Maqedoni.