Presidenti: Ushtria e Kosovës, parakusht për integrimet euroatlantike

Ferizaj, 7 korrik 2017 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së parë për vitin 2017 të rekrutëve të FSK-së nga komunitetet.

Kadetët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidenti Thaçi i ka përgëzuar për këtë hap të rëndësishëm dhe të guximshëm për karrierën dhe të ardhmen e tyre, duke u bërë pjesë e njërit prej institucioneve më të rëndësishme, më të besueshme dhe më të respektuara në Kosovë.

“Institucioni të cilit ju sot po i bashkoheni është shembulli më i mirë i një institucioni demokratik, shumetnik dhe profesional, duke i përfaqësuar më së miri vlerat e shtetit tonë të përbashkët”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në përputhje me rekomandimet e Rishikimit të Sektorit të Sigurisë, presidenti Thaçi ka thënë se bashkë me institucionet e tjera, në koordinim të plotë edhe me partnerët tanë strategjikë, po punojnë për ta përfunduar transformimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, që nënkupton ndryshime të rëndësishme edhe në mandatin, misionin, madhësinë dhe strukturën e FSK-së.

“Askush në Kosovë, në rajon apo edhe më gjerë, nuk duhet të shqetësohet për këtë proces të natyrshëm dhe të domosdoshëm. E them me bindje këtë gjë, sepse FSK-ja edhe sot nuk dallon shumë nga ushtritë e tjera. Ndërsa, jam i sigurt se pas transformimit, ju pjesëtarë të të gjitha komuniteteve do të vazhdoni të shërbeni me dinjitet në interes të mbrojtjes së sovranitetit të Kosovës, të mbrojtjes së pronës dhe trashëgimisë suaj. Ju edhe sot po kontribuoni për ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe atij global”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti shtoi se pjesëtarët e FSK-së me dinjitet dhe krenari po e përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke sjellë rezultate të shkëlqyera, shpeshherë duke zënë edhe vendet e para në gara të ndryshme, ku konkurrentë janë përfaqësues të ushtrive të vendeve me standardet më të larta.

“Transformimi i FSK-së është një proces që ka kaluar nëpër faza të ndryshme, me hapa të gjatë dhe të mundimshëm, por gjithmonë drejtë arritjes së një qëllimi të qartë dhe me rezultate në dobi të të gjithë qytetarëve të vendit tonë pa asnjë dallim. Kemi arritur në hapat finalë dhe këta hapa do t’i hedhim së bashku dhe në koordinim të plotë me aleatët tanë ndërkombëtarë”, shtoi presidenti Thaçi.

Ai theksoi se përbërja shumetnike e FSK-së është mesazhi më i mirë sesi duhet të jenë të integruara komunitetet në jetën shoqërore dhe institucionale të një shteti demokratik, ku çdo qytetar përbën vlerë të shtuar të shtetit.

“Unë si President dhe Komandant i Përgjithshëm i FSK-së, jam krenar për arritjet dhe sukseset tuaja, si dhe u jam mirënjohës secilit prej jush për kontributin e vazhdueshëm që keni dhënë, që FSK-ja të arrijë deri këtu. Njëkohësisht, ju inkurajoj që të vazhdoni të kontribuoni edhe në të ardhmen, që të jeni shembull sesi duhet të jetë një forcë profesionale dhe shumetnike në shërbim të vendit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Mënyra e vetme dhe më e mira për mbrojtjen dhe avancimin e interesave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, në këtë rast edhe të komunitetit serb, presidenti tha se është dhe mbetet vetëm përmes pjesëmarrjes aktive në institucionet tona shtetërore.

Partnerët tanë strategjikë dhe të gjitha ato shtete anëtare të NATO-s, të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, presidenti Thaçi tha se i sigurojmë se edhe pas transformimit, Forcat e Armatosura të Kosovës, sikurse edhe Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të shtetit, do të jenë në shërbim dhe mbrojtje të të gjithë qytetarëve dhe pronës së tyre pa dallim.

“Është domosdoshmëri dhe parakusht për proceset e mëtejshme integruese drejt strukturave euroatlantike, që të kemi Ushtrinë e Kosovës dhe një parakusht të tillë do ta plotësojmë. Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të krenohen me shumë arritje të realizuara brenda mandatit të tashëm, por jam i sigurt se do të krenohen edhe më shumë me mandatin e ri”, theksoi presidenti Thaçi.

Në fund, duke i falënderuar për kontributin e deritashëm, presidenti Thaçi u uroj pjesëtarëve të rinj të FSK-së një fillim të mbarë dhe të suksesshëm në përmbushjen e detyrave të shenjta dhe fisnike për mbrojtën e vendit tonë.