Presidenti Thaçi uron Presidentin e Shqipërisë për Festën e Flamurit: Nëntori është muaji i krenarisë sonë kombëtare

Prishtinë, 27 Nëntor 2017 - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e Festës së Flamurit, 28 Nëntorin, si dhe 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, i ka dërguar një telegram urimi homologut të tij shqiptar, Ilir Meta.

Në telegramin e urimit për Presidentin e Shqipërisë, presidenti Thaçi ka thënë se ky muaj i krenarisë sonë kombëtare tregon më së miri, jo vetëm për historinë tonë të përbashkët, por edhe për lidhjen e pashkëputshme, sepse ndër shekuj i kemi qëndruar gjithmonë pranë njëri-tjetrit.

Simotra të pandashme, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova e Shqipëria, duke e mbështetur njëra-tjetrën, kanë arritur të garantojnë perspektivë të qartë euroatlantike për qytetarët e dy shteteve tona.

Ky është telegrami i urimit i presidentit Thaçi për homologun e tij shqiptar, Ilir Meta:

I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta,

Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni urimet më të mira për Festën e Flamurit, 28 Nëntorin, si dhe për 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Nëntori ka qenë dhe mbetet përherë muaj i lavdisë për shqiptarët anekënd botës dhe është muaj i festave tona të përbashkëta në më shumë se një shekull.

Ky muaj i krenarisë sonë kombëtare tregon më së miri, jo vetëm për historinë tonë të përbashkët, por edhe për lidhjen e pashkëputshme, sepse ndër shekuj i kemi qëndruar gjithmonë pranë njëri-tjetrit.

Kosova dhe Shqipëria, simotra të pandashme, duke e mbështetur njëra-tjetrën kanë arritur të garantojnë perspektivë të qartë euroatlantike për qytetarët e dy shteteve tona.

Sot Kosova është me fat që e ka Republikën e Shqipërisë gjithmonë përkrah, sepse po mëson shumë nga përvoja shtetërore 105 vjeçare.

Në Kosovë e Shqipëri, populli ynë do të mbetet përherë partner i të gjithë popujve që e duan një të ardhme në paqe dhe në prosperitet për rajonin dhe më gjerë.

Jam i lumtur që 28 Nëntorin do ta festojmë sërish bashkë në Vlorën tonë historike!

Me respekt,

Hashim Thaçi
President i Republikës së Kosovës