Presidenti Thaçi: Të pagjeturit janë plagë që duhet të mbyllet sa më parë

Prishtinë, 29 gusht 2016 – Të pagjeturit mbesin një nga plagët më të rënda që ka lënë lufta në Kosovë, ndërsa zgjidhja e fatit të të pagjeturve një nga detyrat më urgjente dhe më të rëndësishme për të gjithë, është shprehur Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të të Personave të Zhdukur, 30 gushtit.

“Lufta ka lënë shumë plagë, por ajo e të pagjeturve është ndër më të rëndat”, ka thënë presidenti Thaçi, i cili shtoi se kjo çështje “rëndon familjet e të të pagjeturve por edhe tërë shoqërinë, marrëdhëniet mes komuniteteve por edhe gjasat për një të ardhme më të mirë”.

“Është nevojë urgjente, detyrë humanitare, obligim i të gjithëve që sa më parë të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, tha presidenti Thaçi.

I pari i vendit theksoi se nuk kalon ditë që nuk i kujtojmë të pagjeturit. “Na shikojnë nga fotot e varura në rrethojën e Kuvendit të Kosovës. Na thërrasin familjet. Na i kujtojnë memorialët që i shohim rrugëve të Kosovës. Ndërkaq, në ditët si 30 gushti, zotohemi që gjithmonë, pandërprerë, do të kërkojmë dhe do të këmbëngulim që sa më parë të zbardhet fati i secilit qytetar të Kosovës, në mënyrë që familjet e të pagjeturve të gjejnë paqen e tyre”.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përfundoi se “janë mu këto dhimbje që i ka shkaktuar lufta motivi ynë që të punojmë që të mos lejojmë që të përsëritet lufta por gjithmonë të ketë paqe, pajtim dhe bashkëpunim mes të gjitha komuniteteve”.