Presidenti Thaçi takoi presidentin e Federatës Gjermane, Frank-Walter Steinmeier

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, cili po qëndron në Slloveni ku mori pjesë në Samitin Brdo-Brione, ka zhvilluar një takim bilateral me presidentin e Federatës Gjermane, Frank-Walter Steinmeier.

Presidenti Thaçi tha se Kosova po vazhdon me sukses reformat në ekonomi, në ndërtim të institucioneve demokratike dhe në konsolidimin e sundimit të ligjit.

“MSA është konfirmim i të arriturave në ndërtimin e institucioneve demokratike, reformave në ekonomi dhe forcimit të sundimit të ligjit” tha presidenti Thaçi.

Duke folur për dialogun me Serbinë, presidenti Thaçi tha se dialogu duhet të kthehet në proces për pajtim, miqësi dhe bashkëpunim të mirë ndër-fqinjësor në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kurse sa i përket marrëdhënieve rajonale, i pari i vendit shtoi se raportet e Kosovës me vendet e rajonit janë raporte konstruktive që për qëllim kanë përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ai ndër të tjera shtoi se është koha për një qasje strategjike të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Vonesa e BE-së për të afruar rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Kosovën, është kërcënim për sigurinë” pohoi presidenti Thaçi, duke shtuar faktin se vakumi që lë BE-ja, nxitojnë ta zënë ideologji tjera, nacionaliste dhe religjioze.