Presidenti Thaçi priti Zëvendës-ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes, Laura Cooper

Prishtinë, 27 nëntor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot Zëvendës-ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes se SHBA-së, Laura Cooper, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin mes Kosovës dhe SHBA-së në sektorin e sigurisë.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën, veçanërisht për bashkëpunimin me FSK-në.

Ai shtoi se FSK-ja ka ngritur kapacitetet e saj dhe tani është një forcë profesionale dhe gjithëpërfshirëse.

\"Po punojmë, të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, që të plotësojmë të gjitha kriteret për transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Sigurisë\", u shpreh presidenti Thaçi.

\"Dëshira jonë është që transformimi të bëhet me konsensus politik dhe nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese\", u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se megjithatë \"ky proces nuk mund të zgjas pafundësisht\".

Zëvendës-ndihmës Sekretarja, Laura Cooper, tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përkrahin Kosovën në të gjitha fushat.

Presidenti Thaçi shtoi se gjendja e sigurisë në Kosovë është shumë e mirë dhe Kosova mbetet e angazhuar për paqe dhe stabilitet në rajon.

\"Po kultivojmë dialog të brendshëm dhe në nivel rajonal, veçanërisht me Serbinë\", u shpreh presidenti Thaçi.