Presidenti Thaçi priti stafin e Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës

Prishtinë, 04 prill - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim drejtorin e Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës, Dardan Nuhiu, nëndrejtorin Behar Xhema dhe analistin Meriton Shoshi.

Presidenti përgëzoi drejtorin Nuhiu për anëtarësimin e NJIF-it në Egmont Group.

Drejtori Nuhiu u shpreh se anëtarësimi në Egmont Group është bërë pasi Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet.

Tani Kosova ka qasje në të dhënat që ndajnë të gjitha shtetet anëtare që do të kontribuojë në ngritjen e efikasitetit të NJIF-it, por edhe të sundimit të ligjit dhe luftimit të krimeve financiare në Kosovë në përgjithësi.

Presidenti Thaçi u shpreh se NJIF-i, e ka merituar anëtarësimin dhe u shpreh se kjo është edhe një mirënjohje tjetër për të arriturat e Kosovës si shtet dhe hap tjetër në konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.

NJIF Kosova është anëtarësuar në Egmont Group në fund të janarit.