Presidenti Thaçi priti shefin e vëzhguesve të BE-së, shprehen të kënaqur me procesin elektoral

Prishtinë, 8 qershor – Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, priti sot Shefin e Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet në Kosovë, z. Alojz Peterle, me të cilin bisedoi për përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në Kosovë këtë të diele.

Presidenti Thaçi shprehu falënderim për BE-në që i është përgjigjur pozitivisht ftesës së tij që të dërgojë një mision vëzhgues të zgjedhjeve në Kosovë dhe e falënderoi z. Peterle për angazhimin për të monitoruar zgjedhjet në çdo skaj të Kosovës.

Presidenti u shpreh se është i kënaqur me fushatën.

“Jam optimist se përsëri do të kemi proces elektoral shembullor”, u shpreh Presidenti Thaçi, por shtoi se “shqetësuese kanë qenë lajmet për përpjekjet për frikësim të kandidatëve dhe votuesve në pjesën veriore të Kosovës”.

Z. Peterle njoftoi se BE ka dërguar 100 vëzhgues në Kosovë që do të monitorojnë zgjedhjet në tërë territorin e shtetit, dhe falënderoi KQZ-në dhe institucionet e Kosovës për bashkëpunimin.

Presidenti Thaçi tha se “kushdo që do ti fitojë zgjedhjet, Kosova do të ketë qeveri pro-perëndimore, multi-etnike dhe stabile që do të vazhdojë reformat në të gjithë sektorët”.