Presidenti Thaçi priti përfaqësuesit e Gjermanisë dhe Francës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur të Dërguarin Special për Evropën Juglindore të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Christian Hellpach, si dhe Kryesuesin e Departamentit për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Francës, Thomas Bertin, me të cilët ka biseduar për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

Presidenti Thaçi u ka shprehur atyre mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania dhe Franca kanë dhënë për Kosovën.
 
“Ndajmë vlera dhe parime të njëjta”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se “Kosova ka nevojë për përkrahje të vazhdueshme, konkrete, të miqve si Gjermania dhe Franca, në vazhdimin e konsolidimit të Kosovës në skenën ndërkombëtare”.
 
Në këtë takim të përbashkët është thënë se viti 2018 është vit i mundësive për Kosovën dhe rajonin, që të afrohen edhe më shumë drejt Bashkimit Evropian.