Presidenti Thaçi priti ndihmës-sekretarin Mitchell, flasin për perspektiven euroatlantike të Kosovës

Prishtinë, 12 mars 2018 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Ndihmës-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell.

Në një konferencë të përbashkët me ndihmës-sekretarin Mitchell, presidenti Thaçi ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të mbesin partner strategjik i Republikës së Kosovës, me miqësi të përhershme dhe marrëdhënie të veçanta.

Ai e ka falënderuar administratën e re amerikane për vëmendjen e veçantë që po i kushton Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor.

“E informova z. Mitchell për mundësitë e reja dhe angazhimin tonë, përkushtim tonë, të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, që të përmbyllim sa më shpejtë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, në mënyrë që Kosova ta bëjë edhe këtë hap vendimtar për liberalizimin e vizave. Askush më nuk ka asnjë arsye që ta vonojë votimin e demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, qofshin ato parti shqiptare apo të komuniteteve, sepse është interes strategjik dhe shtetëror”, u shpreh presidenti Thaçi.

Me ndihmës-sekretarin Mitchell, presidenti Thaçi ka thënë se kanë diskutuar edhe për “hapat e mëtejshëm që do i ndërmerr FSK-ja në plotësimin e kritereve të nevojshme për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, si një forcë e re, shumetnike, profesionale, në përbërje të të gjitha komuniteteve dhe në shërbim të paqes e stabilitetit”, si parakusht për anëtarësimin në NATO.

Kreu i shtetit ka thënë se Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe forcim të perspektivës evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa, Ndihmës-Sekretari i Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë për një Kosovë demokratike e shumetnike dhe riangazhohen për mbështetjen e saj në rrugëtimin euroatlantik.

“Do të kemi një rol aktiv në vitin e ardhshëm dhe kemi folur edhe për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e sigurisë, në ekonomi, në energji dhe në veçanti për bashkëpunimin e mirë që e kemi me Kosovën në përballje me terrorizmin dhe luftën kundër ISIS-it”, ka thënë ndihmës-sekretari Mitchell.

Ai ka shtuar se Kosova ka arritur shumë gjatë këtyre 10 vjetëve në ndërtimin e institucioneve të besueshme, duke treguar një rritje ekonomike dhe një transformim të thellë të ekonomisë.

Presidenti Thaçi dhe ndihmës-sekretari Mitchell kanë folur edhe për rëndësinë që Kosova të jetë e angazhuar në dialogun me Serbinë, për rëndësinë e ratifikimit të marrëveshjes për vijën kufitare me Malin e Zi, për transformimin e FSK-së përmes ndryshimeve kushtetuese, për sundimin e ligjit dhe për rëndësinë e luftës së vazhdueshme kundër korrupsionit, për të siguruar kështu një të ardhme euroatlantike, me rritje edhe më të madhe ekonomike.