Presidenti Thaçi priti komandantin e ri të KFOR-it, Salvatore Cuoci

Prishtinë, 29 nëntor 2017 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin Salvatore Cuoci.

Presidenti Thaçi i ka uruar mirëseardhje gjeneralit Salvatore Cuoci në Kosovë, duke i dëshiruar punë të mbarë në detyrën e re.

Ai ka thënë KFOR-i po vazhdon të bëjë një punë të mrekullueshme në Kosovë.

“Falë punës dhe përkushtimit, tashmë të dëshmuar prej gati rreth dy dekadash, KFOR-i gëzon besimin më të madh te qytetarët tanë dhe është në ballë të fushatave për ngritjen e vetëdijes për paqen, për harmoninë ndërfetare, tolerancën dhe bashkëjetesën qytetare”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, komandanti i ri i KFOR-it, Salvatore Cuoci, ka thënë se do të mbetet i përkushtuar për një ambient të qetë, me liri të lëvizjes dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se KFOR-i po kryen një mision fisnik në Kosovë dhe e siguroi komandantin e ri të KFOR-it për përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës.