Presidenti Thaçi pranoi nga kryeministri Haradinaj raportin e punës 100 ditore të Qeverisë së Kosovës

Prishtinë, 20 dhjetor 2017 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar sot raportin e punës 100 ditore të Qeverisë së Kosovës nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Presidenti Thaçi e ka vlerësuar punën e bërë në këto 100 ditë dhe angazhimin e Qeverisë së Kosovës për reforma në legjislacion, ekonomi dhe politikë.

Ai ka thënë se vendi po ec në drejtim të duhur, me trendin dhe dinamikën e rritur.

“U jam mirënjohës për punën tuaj personale, punën e ekipit tuaj, të gjithë zëvendëskryeministrave, ministrave dhe të tjerëve. Por, mund të them lirisht se nuk ka lajm më të mirë për Qeverinë e Kosovës, për të gjitha institucionet e Kosovës, për popullin tonë se në këtë 100 ditor të punës së Qeverisë të nënshkruhet marrëveshja që është punuar për një kohë shumë të gjatë, për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se ky projekt do të jetë një mesazh i mirë edhe për ardhjen e investitorëve të tjerë.

Ndërsa, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se në raportin 100 ditor të punës së Qeverisë së Kosovës janë të veçuara disa punë, sepse ka edhe shumë të tjera të kryera.

“Më vjen mirë që raporti i sotëm koinçidon edhe më nënshkrimin e marrëveshjes, të kontratës për investimin në termocentralin “Kosova e Re”, një investim 1 miliard e 300 milionë euro, që është investimi më i madh i huaj, projekti më i vlefshëm i Kosovës në historinë e vet dhe ndër projektet më të vlefshme në rajon dhe më gjerë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ai ka theksuar se Republika e Kosovës do t’i mbajë me nder të gjitha përgjegjësitë e veta dhe e ka falënderuar presidentin Thaçi për besimin në punën e Qeverisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka shtuar se ky 100 ditësh ishte një angazhim dhe një punë për një unitet politik, qytetar dhe shumetnik.

Kreu i shtetit ka thënë se të gjitha ato vendime, ato projektligje të cilat janë nxjerrë dhe i janë drejtuar Kuvendit të Kosovës, kanë qenë një përkushtim për një seriozitet të përbashkët edhe të Kuvendit, edhe të Qeverisë, Presidencës, opozitës dhe të gjitha institucioneve të vendit.