Presidenti Thaçi: Politika në Serbi të jetë pjesë e zgjidhjes së çështjes së të pagjeturve, jo pengesë

E martë, 25 tetor 2016 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka takuar kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prenk Gjetaj.

Me kryesuesin Gjetaj, presidenti Thaçi ka biseduar rreth angazhimit për të mbyllur kapitullin e personave të pagjetur dhe për hapat e ardhshëm që duhet ndërmarrë.
 
“Çështja e të pagjeturve është çështje humanitare dhe politika në Serbi duhet të jetë pjesë e zgjidhjes së saj e jo pengesë”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
Nga ana tjetër, kryesuesi i komisionit për personat e zhdukur, Prenk Gjetaj, e informoi presidentin Thaçi se deri ku ka arritur puna e komisionit dhe për pengesat kryesore në punën e tyre.
 
Presidenti Thaçi ritheksoi se mbetet i përkushtuar që sa më shpejtë të mbyllet kjo çështje e ndjeshme, e cila ende sjell dhembje për qytetarët tanë.