Presidenti Thaçi përuroi Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj

Skenderaj, 8 qershor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në përurimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj.

Presidenti Thaçi, tha se ky është një objekt madhështor të cilin e kanë investuar autoritetet edhe komunale, por edhe qendrore.

“Është një objekt që e keni merituar ka kohë, që është investuar me plotë të drejtë. Prandaj, e gëzofshi ju si punëtorë të mjekësisë, autoritete komunale dhe gjithë qytetarët e Skenderajt”, tha presidenti Thaçi.

Ai më tej tha “ndihem tepër mirë sot kur marrë pjesë në inaugurimin e këtij objekti madhështorë, të cilin edhe e filluam gurthemelin bashkërisht”, dhe se ky objekt është produkt i një pune dhe angazhimi të institucioneve lokale  dhe institucioneve qendrore.

“Edhe ky objekt i hijshëm që po madhështon Skenderajn, është mesazhi i Kosovës së re, mesazhi i Kosovës me ndryshim, mesazhi i Kosovës evropiane, mesazhi i Kosovës moderne, mesazhi i Kosovës zhvillimore. Është mesazhi që po krijojmë dhe po dërgojmë tek të gjithë se jemi të zotuar të implementojmë projektet e rëndësishme që ndërlidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve” shtoi presidenti Thaçi.

I pari i vendit, tha se ndihet krenar që punëtorët e shëndetësisë edhe këtu në Skenderaj do të kenë mundësi shumë më të mira për të ofruar shërbime më të lehta dhe më cilësore për qytetarët në Skenderaj.