Presidenti Thaçi: Pajtimi, domosdoshmëri për shkak të së ardhmes

Prishtinë, 04 prill – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit ka marrë sot pjesë në debatin me studentë dhe gazetarë, organizuar nga Lëvizja FOL.

Presidenti ka bashkëbiseduar me studentë dhe gazetarë për tema të ndryshme, duke filluar nga amandamentimi i Kodit Penal të Kosovës, transformimin e FSK-së, për përfundimin e reformës elektorale, themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim dhe tema tjera me interes.

Duke folur për procesin e transformimin e FSK-së, presidenti Thaçi ka theksuar se iniciativën ligjore për themelimin e ushtrisë së Kosovës e ka ndërmarrë jo vetëm për shkak se është obligim kushtetues dhe ligjor.
“Është e drejtë e jona thelbësore që të kemi ushtrinë tonë e cila garanton mbrojtjen e sovranitetit tonë shtetëror, mirëpo edhe për shkak se kam konsideruar se Kosova e ka të pamundur të realizoj qëllimin e vet për anëtarësim në NATO pa themeluar ushtrinë e vet”, ka shtuar ai.

Presidenti ka vlerësuar debatin mbarëshoqërore që është zhvilluar që nga ndërmarrja e iniciativës ligjore e deri me sot.

Duke respektuar të gjitha mendimet dhe qasjet e ndryshme për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, sipas tij, emëruesi i përbashkët i krejt këtij debati është se institucionet, partitë politike parlamentare, shoqëria civile dhe qytetarët e Kosovës janë të gatshëm për të bërë hapin e natyrshëm, kushtetues dhe ligjor për themelimin e ushtrisë së Kosovës.

“Ne jemi krejtësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e ruajtjes dhe forcimin e partneritetit strategjik me NATO-n dhe SHBA-të, ashtu siç jemi të përgjegjshëm se themelimi i Ushtrisë së Kosovës duhet të bëhet pa humbur kohë”, ka thënë ai.
 
I pyetur për qëndrimin e NATO’s dhe SHBA-së lidhur me transformimin e FSK-së, presidenti Thaçi ka thënë se partnerët tanë strategjik ndërkombëtar, respektivisht SHBA-të dhe NATO kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre që të ndihmojnë institucionet tona në një përpjekje tjetër serioze gjithëpërfshirëse për të siguruar përkrahjen e të gjitha komuniteteve të Kosovës, e në veçanti të komunitetit serb për transformimin e FSK-së në FAK nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

“Unë e çmoj jashtëzakonisht këtë zhvillim të ri sa i përket kësaj çështje tepër të rëndësishme për Republikën e Kosovës. Ne nuk duhet të harrojmë faktin se themelimi i Ushtrisë së Kosovës është njëri nga momentet dhe zhvillimet më të rëndësishme për procesin e shtet-ndërtimit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar ai.

Presidenti ka thënë se institucionet tona  ende kanë në dispozicion kohën e mjaftueshme që bashkërisht të bëjmë edhe një përpjekje të fundit që të sigurojmë përkrahjen e të gjitha komuniteteve për themelimin e FAK-ut nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Sipas tij, në këtë përpjekje duhet të gjitha institucionet të jenë të përfshira, në mënyrë që themelimi i ushtrisë të jetë një moment i bashkimit të qytetarëve të Kosovës, partive politike dhe shoqërisë civile.

“Unë përsëri ritheksoj se do të dëshiroja që një qëllim i tillë jetik të ketë mbështetjen e të gjitha komuniteteve të Kosovës dhe të ndodhë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Në rast të kundërt, e kam bërë të qartë që askush nuk do të mund të përdorë veto për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe kjo tashmë është e qartë”, ka thënë ai.
 
Duke folur për iniciativën për  amandamentimi i Kodit Penal të Kosovës, presidenti Thaçi ka thënë se punonjësit e sektorit të drejtësisë, në punën e tyre, kishin identifikuar disa sfida në implementimin e Kodit Penal, edhe pse ai është më i miri në rajon.

“Prandaj kam ndërmarrë iniciativën për plotësimin e Kodit Penal. Është kënaqësi të them që për këtë kam marrë mbështetjen e të gjitha institucioneve shtetërore relevante”, ka shtuar ai, duke shtuar se para ligjit të gjithë jemi të barabartë dhe asnjë nuk është mbi të.
Presidenti ka folur edhe për  dërgimin e katër letrave në adresë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ku ka adresuar nevojën për të punuar në çështjet që më së shumti shqetësojnë qytetarët e Kosovës, krimet e luftës, krimet e pasluftës, sulmet kundër trashëgimisë sonë kulturore e historike, si dhe për viktimat e luftës, me theks të veçantë tek të pagjeturit dhe viktimat e dhunës seksuale.

“Jam i inkurajuar me reagimin e menjëhershëm të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të gjitha organeve tjera relevante për të punuar rreth këtyre pikave. Çdo hap në zbardhjen e çdo rasti të përfshirë në këto letra, është një gur tjetër në themelin e shoqërisë tonë si një shoqëri në të cilën të gjithë janë të barabartë”, ka thënë ai.

Presidenti është pyetur nga studentët dhe gazetarët për  nismën tjetër për përfundimin e reformës elektorale, me synim që të ndërtohet një sistem elektoral që u garanton qytetarëve të Kosovës një proces edhe më të drejtë.

“Rekomandimet janë finalizuar dhe do t’i dorëzohen Kuvendit të Kosovës si nismë për të përfunduar reformën elektorale”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka bashkëbiseduar me studentë dhe gazetar edhe për iniciativën për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim.

Sipas tij,  gati dy dekada që nga përfundimi i luftës, ende nuk e kemi mbyllur kapitullin e luftës.

Ai ka thënë se nuk mund të ndërtojmë të ardhme më të mirë duke ndërtuar mure, duke krijuar armiq dhe duke përhapur urrejtje.

Të ardhmen më të mirë sipas tij e ndërtojmë duke ndërtuar marrëdhënie fqinjësore të mira, bashkëpunim të mirë rajonal dhe duke ndërtuar miqësi.

Presidenti ka paralajmëruar se Komisioni do të jetë i pavarur, do të jetë transparent, gjithë-përfshirës, i paanshëm. Në punën e tij rolin thelbësor sipas Presidentit do të ketë shoqëria civile, por do të gëzojë mbështetjen e të gjitha institucioneve tjera.

“Jam i inkurajuar me mbështetjen që ka marrë kjo iniciativë nga të gjithë sektorët e shoqërisë. Përkrahja më e rëndësishme është ajo që kam marrë nga shoqatat e familjeve të personave të pagjetur. Përkushtimi i tyre për paqe dhe pajtim nuk mund të kontestohet nga askush. Këtë muaj do të themelojmë zyrtarisht Komisionin për të Vërtetën dhe për Pajtim”, ka paralajmëruar Presidenti, duke shtuar se kjo po bëhet si një domosdoshmëri e së ardhmes.