Presidenti Thaçi ngushëlloi familjen Rexhepi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Rexhepi, pas vdekjes së parakohshme të ish kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi.

“Me dhembjen më të madhe e pranova lajmin për vdekjen e mikut tim, kolegut tim, Bajram Rexhepit, kryeministri i parë i Kosovës, burrështetas dhe politikan që ka prekur jetët e të gjithëve me urtinë e tij”, thuhet në telegramin e Presidentit.
 
Në këtë telegram thuhet se me guximin, maturinë dhe durimin e tij, Rexhepi ishte shembull për të gjithë. Më tej thuhet se afërsia dhe respekti i Rexhepit ishin shembull për të gjithë miqtë e tij.
 
“Të gjithëve do të na mungojë si mik, si koleg, si shembull. Me mendjet dhe me zemrat tona jemi me familjen e Bajramit, duke i shprehur ngushëllimet më të thella e duke i uruar forcë e durim, por edhe krenari në këto ditë të vështira”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të presidentit Thaçi drejtuar familjes Rexhepi.