Presidenti Thaçi: Mjaft kemi vuajtur nga urrejtja, koha për pajtim ndëretnik

Prishtinë, 15 dhjetor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbledhur sot Këshillin Konsultativ për Komunitete, i cili ka mbajtur mbledhjen e përgjithshme.

Në këtë mbledhje, presidenti Thaçi ka thënë se viti 2016 ka qenë një vit i sukseseve për Këshillin Konsultativ për Komunitetet, si vit i akreditimit të shoqatave, i organizatave jo-qeveritare, që do të jenë anëtarë të rinj të Këshillit.

Sipas tij, Këshilli Konsultativ për Komunitetet ka përmbushur misionin e vet për ofrimin e një mekanizmi për shkëmbimin e rregullt ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve shtetërore të Kosovës, duke krijuar mundësitë për komunitetet për të komentuar në një fazë të hershme nismat legjislative dhe politike.

Presidenti ka theksuar se shteti i Kosovës është ndërtuar mbi dokumentet dhe parimet më të rëndësishme ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut. Ai ka shtuar se institucionet e shtetit të Kosovës punojnë që këto parime të zbatohen më përpikëri dhe që çdo qytetar i Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tij, të ndihet i lirë dhe i barabartë me çdo qytetar tjetër.

“Si një shoqëri që e ka vuajtur diskriminimin dhe përjashtimin, e kuptojmë thellë rendësin e parimit që secili të trajtohet në mënyrë të njerëzishme, i barabartë, duke ia respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Roli juaj në promovimin e këtyre parimeve është i madh”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka falënderuar anëtaret e këtij këshilli, për angazhimin e tyre në përmbushjen e misionit, për ndërtimin e Kosovës së re, Kosovës evropiane, Kosovës multietnike.

“Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku që të kemi sukses, e ky sukses të ndihet të çdo qytetarë, familje kudo që jetojnë në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh etninë. Do të punojmë shumë për vazhdimin e angazhimeve tona për kthimin e gjithë njerëzve, të cilët dëshirojnë të kthehen në shtëpitë dhe pronat e veta”, ka paralajmëruar Presidenti.

Duke folur për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Presidenti iu ka bërë thirrje të gjithëve që të jenë pjesë e procesit të normalizimit të këtyre marrëdhënieve dhe të pajtimit ndëretnik brenda Kosovës.

“Ne mjaft kemi vuajtur prej urrejtjes e konfrontimeve, prandaj secili duhet të shikojë nga e ardhmja zhvillimore. Të gjithë duhet të fokusohemi që të ndodh pajtimi ndëretnik në Kosovë, si parakusht për jetë të përbashkët për zhvillimin e Kosovës, për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies sociale të çdo qytetari të Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se kjo mund të ndodh vetëm duke u angazhuar të gjithë. “Unë ndihem mirë që kurdo që kemi kontakte me të gjitha komunitetet shoh atë vullnet për të jetuar në Kosovën e re, për të jetuar bashkërisht dhe për t'u ndier mirë dhe krenar me vendin e tyre Kosovën, pavarësisht dallimeve etnike”, ka shtuar ai.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete, Gazmen Salijević ka falënderuar presidentin e Republikës së Kosovës për mbështetjen që i ka dhënë këtij Këshilli.

Ai ka thënë se Këshilli ka për qëllim promovimin e tolerancës komunikimit ndëretnik dhe zhvillimit të një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Në mandatin tonë, së bashku me të gjithë anëtarët e këtij Këshilli, promovojmë mesazhe për tolerancë, për një komunikim më të mirë, ndërtim të besimit ndëretnik në Kosovë”, ka shtuar ai.

Presidenti ka falënderuar ata për punën që janë duke bërë në promovimin e të drejtave të komuniteteve në Kosovë, duke inkurajuar ata që të punojnë edhe më shumë së bashku për forcimin e shtetit të Kosovës, përmes promovimit të këtyre vlerave.