Presidenti Thaçi: Me Kushtetutën tonë po ecim përkrah botës së qytetëruar

Prishtinë, 07 prill 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të përvjetorit të nëntë të Kushtetutës së Kosovës, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Presidenti Thaçi thënë se Dita e Kushtetutës është një datë historike për Republikën e Kosovës.

“Para nëntë vjetësh, ne, populli i Kosovës, miratuam Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ku vendosëm për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet. Aty shprehëm përkushtimin për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Republika e Kosovës, sipas presidentit Thaçi, përveç garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të parapara në Kushtetutë, ka nxjerr edhe një numër ligjesh që përcaktojnë një kornizë të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të diskriminimit, si dhe njëkohësisht ka krijuar institucionet e nevojshme.

Presidenti ka thënë se gjatë këtyre nëntë vjetëve janë ndërmarr hapa konkret që ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë të jetë bazë e rregullimit ekonomik në Republikën e Kosovës.

“Është punuar në krijimin e një klime për prurjen e investitorëve të huaj, lehtësimin e të bërit biznes, hapjen e vendeve të reja të punës. Është punuar dhe po punohet në vazhdimësi për një prosperitet social për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa diskriminim. Jemi faktor stabiliteti në rajon. Kemi arritur marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, jemi të angazhuar në promovimin e paqes dhe pajtimit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Duke folur për parimet kushtetuese, presidenti ka thënë se ato bazohen në gjithëpërfshirje, në barazi dhe liri të secilit individ që të realizojë vetveten, pa ju cenuar asnjëherë e drejta që të jetë pjesë e shoqërisë kosovare.

Presidenti Thaçi ka thënë se që nga miratimi i Kushtetutës e deri me tani, Republika e Kosovës ka pushtet mbi zbatimin e ligjit, sigurinë, drejtësinë, sigurinë publike, inteligjencën, organet civile emergjente dhe mbi kontrollin e kufijve në territorin e vet.

Institucionet e sigurisë, sipas presidentit Thaçi, mbrojnë sigurinë publike dhe të drejtat e të gjithëve.

Në ceremoninë e shënimit të përvjetorit të nëntë të Kushtetutës së Kosovës, presidenti Thaçi ka folur edhe për zbatueshmërinë e Kushtetutës, e cila është qenësore për shtetin tonë.

“Gjykata Kushtetuese si organ i pavarur ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Të gjithë duhet të jemi të angazhuar për respektimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, më qëllim të ecjes përpara dhe që të jemi krahë për krahë me botën e qytetëruar”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se në gjithë këtë punë dhe në këto rezultate për nëntë vjet, prej miratimit të Kushtetutës, në ndërtimin e shtetit dhe institucioneve kushtetuese, Kosova ka pasur edhe përkrahje të parezervë nga vendet mike, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian dhe vendet e tjera.

Ai ka thënë se kjo përkrahje na bën që ta kemi me të lehtë realizimin e synimit tonë, që shteti i Kosovës të përfshihet në proceset integruese dhe të jetë anëtar i plotë i institucioneve euroatlantike.