Presidenti Thaçi: Luan Haradinaj është personifikim i çlirimit, lirisë dhe pavarësisë

Prishtinë, 6 maj 2018- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në Akademinë Përkujtimore me rastin e 21 vjetorit të rënies së dëshmorit Luan Haradinaj, e cila u organizua nga Shoqatat e Luftës së UÇK-së.

Presidenti Thaçi ka thënë se Luan Haradinaj paraqet një personalitet të rrallë të Lëvizjes Kombëtare, i cili ishte njeri i shëmbëlltyrës, i dinjitetit, i virtytit dhe krenarisë kombëtare.

Ai ka shtuar se Luan Haradinaj ishte prej veprimtarëve të parë dhe bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Luanin personalisht e njoha në vitin 1996 përmes Kadri Veselit. U takuam në Tiranë, pastaj kaluam disa herë kufirin së bashku me Kadriun dhe Luanin, të cilët e kishin kaluar shpeshherë edhe më herët Shqipëri-Kosovë, dhe pastaj strehoheshin në bazat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan apo Jabllanicë. Aty, apo diku thellë në bjeshkë si gjithmonë na prisnin Shkelzeni, Lahiu apo edhe  Dauti”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Luani ishte fjalë pak, por trim i paparë, njeriu që theu dhe shembi gurin shqiptaro-shqiptar.

”Nuk kishte si të mos ndodhte kështu, ai rridhte nga një familje e dëshmuar atdhetare, axha i tij Ismajli, kishte kaluar vite të tëra nëpër burgjet serbe”, ka shtuar Presidenti.

I pari i vendit ka thënë se sot shteti i Kosovës nderon dhe respekton me vlerësimet më të larta shtetërore emblemën e UÇK-së, Luan Haradinaj.

Presidenti Thaçi në fund ka thënë se Luan Haradinaj është personifikimi më monumental për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.