Presidenti Thaçi: Klubi i Biznesit Frankofon do t’i rris shkëmbimet tregtare me vendet anëtare

Prishtinë, 23 mars 2017 - Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në hapjen e Klubit të Biznesit Frankofon në Kosovë.

Presidenti ka thënë se hapja e këtij klubi e bën Kosovën pjesë të Frankofonisë dhe i gëzohemi mundësive që të thellojmë bashkëpunimin në të gjithë sektorët me vendet anëtare të këtij forumi të rëndësishëm botëror.

“Është shumë e nevojshme që bota të mësojë për potencialet e Kosovës, por edhe që afaristët kosovarë të përfitojnë nga përvojat dhe mundësitë që ofron bota sot. Klubi që po themeloni sot, përbën një forum të tillë në të cilin shkëmbehen përvoja, shkëmbehen informata, por edhe lidhen partneritete dhe marrëdhënie bashkëpunimi”, ka thënë presidenti Thaçi.

Si në çdo shtet në zhvillim, presidenti Thaçi ka thënë se këto vite është investuar shumë në infrastrukturën teknike dhe ligjore, duke krijuar lehtësira për investitorët potencialë dhe duke ndikuar në përmirësimin e ambientit të përgjithshëm të të bërit biznes.

“Efektet e para të këtyre masave po vërehen dhe po preken nga komuniteti i biznesit. Gjithë ky investim është vlerësuar në mënyrë afirmative edhe nga Banka Botërore. Mirënjohje për të arriturat e Kosovës është edhe pranimi i Kosovës si vend kandidat për MCC të Kongresit Amerikan, që mat në mënyrë strikte indikatorët që janë vital për zhvillimin e ekonomisë. Por, mirënjohje është edhe hapja e këtij klubi që po bëni ju sot këtu”, është shprehur presidenti Thaçi.

Duke pasur parasysh se qëllimi kryesor i shteteve frankofone është një zhvillim i qëndrueshëm që mbështetë zhvillimin e qeverisjes efikase, zhvillimin ekonomik, ndërtimin e kapaciteteve, bashkëpunimin në mes shteteve, presidenti Thaçi ka shprehur besimin se bizneset e Kosovës dhe vetë shteti i Kosovës do të përfitojnë shumë në çdo aspekt nga kjo iniciativë.

“Ky klub do të mundësojë që Kosova të promovojë vlerat ekonomike të vendit dhe mundësitë për investime edhe në shtetet më të largëta të aleancës së shteteve frankofone”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se ekonomia e Kosovës po shënon rritje të vazhdueshme, përkundër sfidave të shkaktuara nga kriza financiare, e cila ka goditur globin qysh në vitin kur Kosova shpalli pavarësinë.

“Kemi borxhin publik më të voglin në rajon. Kemi sistemin bankar më të qëndrueshëm. Këtë e konfirmojnë dhe vlerësojnë edhe organizatat ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim me BE-në, e cila ka hapur mundësi për qasje të lirë në tregun e madh të BE-së, për t’i intensifikuar shkëmbimet tona tregtare, por edhe për të krijuar mundësi për investime të reja në fusha të ndryshme”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka folur edhe për Ligjin për Investime Strategjike, i cili do t’i mundësojë Qeverisë së Kosovës që të hyjë në diskutime të drejtpërdrejta me investitorët potencialë në resurset dhe projektet me rëndësi strategjike kombëtare për Kosovën.

Presidenti Thaçi ka thënë se jemi të vetëdijshëm se për zhvillim ekonomik kusht është edhe sundimi i ligjit, prandaj ka vënë lartë në agjendën e prioriteteve edhe fuqizimin e sundimit të ligjit në vend, si një parakusht vital për zhvillim e vendit.

“Kam iniciuar amandamentimin e Kodit Penal dhe mbështesim gjyqësorin që të sigurohet se askush nuk do të jetë mbi ligjin”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Pjesëmarrës në hapjen e Klubit të Biznesit Frankofon në Kosovë ishte si nikoqir edhe ambasadori francez,  Didier Chabert, kryeparlamentari Veseli, kryeministri Mustafa dhe përfaqësues të odave ekonomike dhe të komunitetit të biznesit në Kosovë.