Presidenti Thaçi: Katedralja një tempull fetar dhe rrëfim i historisë sonë

Prishtinë, 05 shtator – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot pjesë në ceremoninë e shugurimit të katedrales Shën Tereza.

Në fjalën e tij, presidenti Thaçi ka thënë se kjo katedrale është shtëpi e Zotit, por është edhe shtëpi e qytetarëve të Kosovës.

“Bashkërisht vumë gurthemelin e inauguruam Katedralen dhe sot jemi bashkë në shugurim”, ka thënë Presidenti.

Sipas tij, me shekuj të tërë myslimanë e katolikë kanë vizituar teqetë e njohura për të gjetur shërim për sëmundje apo halle, dhe me shekuj të tërë myslimanë e të krishterë kanë shkuar në kishë për të gjetur përgjigje për hallet e tyre.

Ai ka thënë se tradita e jonë popullore kurrë nuk ka bërë ndarje në mes të kishës,  xhamisë, manastirit apo teqesë, duke uruar që kjo katedrale për sot e përjetë të qëndrojë si shtyllë e qytetarëve të Prishtinës dhe të Kosovës, t'ju përkujtojë fëmijëve tanë dhe gjithë gjeneratave që vijnë se kush ishte Shën Tereza.

“Rrëfimi i Shën Terezës së Prizrenit, Shkupit, Letnicës dhe Kalkutës është rrëfimi më i rëndësishëm i historisë tonë. Paramendojeni një grua, e lindur në Ballkan në vorbullat e thyerjeve të epokave, kur nuk dihej se cila perandori do ta merr me dhunë Kosovën –  e cila gjeti një inspirim hyjnor. E gjeti një inspirim në këtë tokë, me këta njerëz, në këtë nën qiell”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka theksuar se inspirimi i saj ishte që të përballojë të gjitha vështirësitë dhe të fokusohet tek hallet e njerëzimit.

Ai ka shtuar se jo vetëm njerëzimi në aspektin global, por njerëzimin që ka çdo njeri në vetvete. Shën Tereza jonë thoshte: “Nëse gjykojmë njerëzit, nuk kemi kohë t'i duam ata.”

“Dhe në zemrën e saj gjeti dashuri për krejt botën. Pra, një grua e këtij nënqielli, një vajzë, motër dhe një nanë e tokës shqiptare pat zemrën e madhe për tërë botën”, ka thënë Presidenti.

Presidenti është shprehur i gëzuar me praninë e hirësisë së tij, Kardinal Troshani, i cili ka përjetuar të keqen, mëkatet e njerëzve dhe iu ka mbijetuar.

“Ja sot jeni  me motrat dhe vëllezërit tuaj të Kosovës që ta festojmë shugurimin e Katedrales Shën Tereza. Them festojmë se kjo ditë e bekuar sot dhe ky shugurim është festë e dashurisë së Nënës Terezë. Është përkujtim për të gjithë ne se dashuria gjithmonë fiton, se ai që është i shkelur, ai që është duke vuajtur gjithmonë do të gjejë dritën, dashurinë dhe paqen.  Uroj që kjo shtëpi të jetë fanar i dritës dhe burim i dashurisë për njëri tjetrin”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka ftuar hirësinë e tij,  Kardinalin Troshani që këtë dashuri që e ndjeu sot ta ndan edhe me atin e Shenjtë, Papa Franceskun.

“Të rrëfeni për tolerancën që kemi e që është shtyllë e vlerave tona.  Të rrëfeni për popullin e Kosovës që ka refuzuar urrejtjen, ka refuzuar gënjeshtrën që jemi të pazotë dhe të paaftë. U shkelëm me shekuj por e ruajtëm thelbin tonë, të bartur nëpër shekuj e gjenerata me priftërinj e imamë që nuk shikuan kishën e xhaminë por shikuan popullin si burim të inspirimit hyjnor të tyre”, ka thënë ai.

Presidenti ka theksuar se gjatë takimit që do të ketë me Papa Franceskun do t’i rrëfej për zotimet dhe të arriturat e popullit të Kosovës, se në Kosovë po ngadhënjen dialogu, toleranca e vërteta dhe pajtimi ndëretnik, normalizimi dhe paqja ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Serbisë.

Kjo katedrale sipas tij u ngrit me djersën e popullit, diasporës, besimtarëve shqiptarë, por edhe dashamirësve nga mbarë bota, katolikë, myslimanë e hebrenj – prej kongresmenëve nga Amerika e largët deri tek qytetari që ka dhënë qindarkën e fundit për këtë Shtëpi të Zotit.  Kjo katedrale është jo vetëm tempull fetar por edhe një rrëfim i historisë sonë.

“Me këtë rast me lejoni të ripërsëris faktin se jemi krenar se nga populli ynë dolën dy figura të mëdha Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Nëna Terezë. Nuk ka bez as pëlhurë të bardhë ose të zezë që mbulon madhështinë kombëtare dhe civilizuese të Gjergj Kastriotit”, ka thënë Presidenti.