Presidenti Thaçi: Jemi të bashkuar për krijimin e ushtrisë, Kuvendi ta marrë vendimin e merituar për FSK-në

Prishtinë, 8 mars 2017 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit që ka pasur me përfaqësuesit e shteteve të Kuintit, në një konferencë për media ka thënë se Kosova nuk mund të anëtarësohet në NATO, pa transformimin e FSK-së.

Presidenti Thaçi ka thënë se projektligji për ushtrinë e Kosovës e ka unifikuar spektrin politik dhe e ka forcuar besimin e qytetarëve të Kosovës në vendosmërinë tonë për të marrë vendime në interes të qytetarëve dhe të shtetit tonë.

“Të gjithë akterët politikë të përfshirë në këtë proces duhet të jenë në nivel të detyrës dhe me përkushtim të bëjnë punën e tyre për përmbylljen me sukses të këtij procesi”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ky është fjalimi i plotë i presidentit Thaçi:

Të nderuar përfaqësues të mediave,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,


Qytetarët e Republikës së Kosovës janë të informuar se dje, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese si President dhe si  Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i kam dorëzuar Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, respektivisht projektligjin, i cili FSK-në e bën ushtri të Kosovës.

Këtë iniciativë ligjore, e cila është ndërmarrë në koordinim të plotë me institucionet shtetërore të Kosovës, e konsideroj si të domosdoshme për avancimin e rolit dhe detyrave të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ky ndryshim në misionin dhe detyrat e reja që do t’i marrë FSK-ja në përputhje me ligin e ri, e bëjnë FSK-në një ushtri moderne shumetnike, profesionale, të gatshme për të mbrojtur qytetarët e Kosovës dhe do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes në rajon dhe në botë, sa herë që Kosovës i kërkohet të jap kontributin e saj në këtë drejtim.

Më lejoni që më këtë rast të falënderoj anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të cilët e kanë trajtuar këtë iniciativë ligjore me përgjegjësi dhe prioritet të lartë shtetëror, duke marrë vendim sot, për të ecur përpara në këtë drejtim dhe duke e proceduar iniciativën ligjore për dhënien e mendimit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përputhje legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.

Unë jam i bindur se edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht kryeministri Mustafa do ta trajtojë draft-ligjin për FSK-në me prioritet të lartë dhe shumë shpejt do ta japë edhe zyrtarisht mendimin e vet pozitiv në mbështetje të tij.

Të nderuar përfaqësues të mediave,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,


Në këtë periudhë, i gjithë spektri politik në Kosovë, duke përfshirë shoqërinë civile, dhe qytetarët tanë, duhet të jemi plotësisht të bashkuar për ta përmbyllur me sukses këtë proces, i cili tërësisht varet nga vullneti i institucioneve tona shtetërore.

Ashtu sikurse kam pritur, projektligji për ushtrinë e Kosovës e ka unifikuar spektrin politik të Kosovës dhe e ka forcuar besimin e qytetarëve të Kosovës në vendosmërinë tonë për të marrë vendime në interes të tyre dhe të shtetit tonë.

Prandaj, të gjithë akterët politikë të përfshirë në këtë proces, duhet të jenë në nivel të detyrës dhe me përkushtim të bëjnë punën e tyre për përmbylljen me sukses të këtij procesi.

Vëmendje shumë të madhe duhet t’i kushtojmë qëndrimeve tona zyrtare për këtë çështje dhe të përpiqemi që më durim dhe me argumente të mjaftueshme t’u sqarojmë partnerëve tanë ndërkombëtarë, shteteve fqinje dhe kujtdo tjetër që ka dilema për ketë proces.

Republika e Kosovës nuk po bën asnjë hap të papritur, asnjë veprim të njëanshëm apo të pakoordinuar, asnjë veprim antiligjor apo antikushtetues. Nuk po bën asgjë që do të mund të konsiderohej si rrezik për paqen dhe sigurinë në Kosovë apo rajon.

Realiteti dhe e vërteta në gjithë këtë proces është kjo:

Shteti i pavarur i Kosovës, thjesht po bën një akt ligjor dhe kushtetues, i cili është themel i funksionimit të çdo shteti demokratik në botë.

Ne, si institucione demokratike të shtetit të pavarur kemi vendosur që FSK-së t’i japim misionin dhe detyrat e një ushtrie moderne, profesionale, shumetnike, e cila do të jetë në gjendje për të mbrojtur sovranitetin shtetëror të vendit tonë.

Këtë obligim kushtetues dhe ligjor as nuk e ka kontestuar dhe nuk mund ta kontestoj askush nga partnerët tanë perëndimorë, duke përfshirë edhe NATO-n dhe shtetet anëtare të saj.

Mirëpo, këtë akt të domosdoshëm kushtetues dhe ligjor e ka kundërshtuar dhe vazhdon ta kundërshtojë vetëm Serbia, duke thënë se themelimi i ushtrisë së Kosovës paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon.

Serbia vazhdimisht e thotë një gjë të tillë si pjesë të propagandës së vet kundër shtetit të Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë me krenari nacionaliste e mbush hapësirën ajrore me aeroplanët e tipit MIG të dhuruar nga Rusia.

Por, sido që të jetë, mendoj se gjerat janë të qarta për të gjithë akterët, qofshin ata vendorë apo ndërkombëtarë.

Aktualisht, i vetmi kërcënim për paqen në rajonin tonë është rritja e ndikimit të rolit të Rusisë në rajon dhe e numrit të aeroplanëve MIG në hapësirën ajrore të Serbisë.

Natyrisht, këtij kërcënimi duhet t’i shtojmë edhe kërcënimet që vijnë nga elementët terroristë, një fushë tjetër kjo ku Kosova mbetet kampion në rajon për luftën e pa kompromis kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Prandaj, unë pres nga NATO që të jetë e vetëdijshme për këto rreziqe konkrete dhe të mos shqetësohet për avancimin e rolit të FSK-së, duke ditur që FSK-ja është ngritur dhe trajnuar pikërisht nga NATO dhe shtetet anëtare të NATO-s.

E thashë një gjë të tillë si përgjigje timen të drejtpërdrejtë ndaj shqetësimeve të cilat sot janë ngritur nga Sekretari i NATO-s, nga shtetet e Kuintit dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vërejtja kryesore e Sekretarit të NATO-s në bisedën telefonike të zhvilluar sot, ishte gjoja se NATO-ja e konsideron iniciativën tonë ligjore për ndryshimin e misionit dhe detyrave të FSK-së, si një veprim të njëanshëm.

Kjo nuk qëndron në asnjë rrethanë, sepse për tre vjet me radhë jemi munduar ta koordinojmë këtë veprim me deputetët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, por ata e kanë bërë të qartë se kurrë nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese për themelimin e ushtrisë së Kosovës.

Në rast se Sekretari i NATO-s e konsideron iniciativën tonë të njëanshme për shkak se Serbia nuk pajtohet me veprimet tona, atëherë unë e konsideroj këtë krejtësisht të papranueshme, sepse fati i Kosovës dhe i ushtrisë sonë nuk guxon të mbetet peng i vullnetit dhe disponimit të Serbisë në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim.

Për më tepër, unë si president duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për reagime të tilla, qysh dje kam zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Serbisë, për t’i komunikuar atij vendimin tim dhe për t’i bërë të qartë se FSK-ja, as në mandatin e saj të tanishëm dhe as në mandatin e saj të ri, të cilin shpresoj se do ta marrë shumë shpejt, nuk paraqet asnjë kërcënim as për Serbinë dhe as për asnjë shtet tjetër kudo në botë.

Të nderuar përfaqësues të mediave,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,


Unë si president e kam për detyrë që të sigurohem që Kosova të thellojë bashkëpunimin me NATO-n, sepse anëtarësimi në këtë organizatë ushtarake është qëllim thelbësor i yni.

Për më tepër, e kam për detyrë që të thellojmë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse vetë ekzistenca dhe funksionimi i shtetit tonë është rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta.

Prandaj, i kam dëgjuar më vëmendje të madhe këshillat dhe qëndrimet e SHBA-së për këtë çështje në takimin e rregullt javor të punës që kam pasur sot me ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie.

Përkundër shqetësimeve të bëra publike, SHBA-ja në asnjë rrethanë nuk e vë në pikëpyetje të drejtën tonë legjitime për themelimin e ushtrisë së Kosovës.

SHBA-ja e ka bërë të qartë se plotësisht e mbështesin këtë proces, mirëpo duan që ky proces të ndodhë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Unë e kam sqaruar dje dhe po e sqaroj përsëri.

Që nga viti 2014 kur ka përfunduar rishikimi i sektorit të sigurisë në Kosovë dhe atëherë kur kam bërë publike themelimin e shpejt të Forcave të Armatosura të Kosovës, asnjëherë nuk i kam ndalur përpjekjet për ta bërë këtë transformim të FSK-së nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, ashtu siç kemi preferuar ne dhe gjithashtu edhe partnerët tanë, respektivisht SHBA-ja.

Të gjithë ne si akterë të përfshirë në këtë proces, pra institucionet e Kosovës, NATO-ja dhe shtetet tona mike, deri më sot fatkeqësisht kemi dështuar që t’i bindim deputetët e Listës Serbe që të votojnë ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Dhe të gjithë ne, duke përfshirë opinionin e gjerë publik, e dimë shumë mirë arsyen e këtij dështimi.

Fatkeqësisht, deputetët e Listës Serbe, ashtu siç e kemi parë në shumë raste deri më sot, i mbesin lojal vetëm urdhrave që marrin nga Serbia dhe jo nga Qeveria e Kosovës.

Prandaj ka qenë e pamundur të presim në pafundësi për një epilog negativ të njohur.

Mirëpo, unë me përgjegjësi të lartë e them publikisht sot, se në rast se NATO-ja, shtetet e Kuintit apo SHBA-ja kanë arritur t’i bindin deputetët e Listës Serbe që të votojnë për ndryshimet kushtetuese, unë jam i sigurt se edhe Qeveria e Kosovës, unë si president, dhe Kuvendi i Kosovës, do të ishim tepër të lumtur që të procedonim pa humbur kohë pikërisht duke bërë këtë transformim nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Unë, duke qenë i vetëdijshëm se mund të ketë reagime të tilla, u kam kërkuar një garanci të tillë edhe NATO-s, edhe shteteve të Kuintit edhe SHBA-së, mirëpo askush deri më sot nuk ka mundur të garantojë një votë të deputetëve të Listës Serbe në favor të ndryshimeve kushtetuese për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

Prandaj, kam kërkuar mirëkuptimin e plotë të partnerëve tanë për këtë proces, i cili nuk është bërë njëanshëm, por është iniciuar në mënyrë krejt të natyrshme dhe transparente.

NATO-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, duhet ta ndihmojnë Kosovën gjatë këtij transformimi më këshillat adekuate profesionale dhe kurrsesi të mendojnë sesi ta ndëshkojnë Kosovën, vetëm e vetëm se kemi iniciuar një proces ligjor për të cilin ata publikisht thonë, se është e drejtë legjitime e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Përkundër kësaj, institucionet e Republikës së Kosovës mbesin krejtësisht transparente dhe të hapura për të ofruar të gjitha garancitë dhe sqarimet e nevojshme përgjatë gjithë këtij procesi jetik për shtetin tonë.

Mirëpo, ritheksoj se iniciativa ligjore për ndryshimin e mandatit të FSK-së, duhet të vazhdoj në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe pa vonesa të mëtejshme.

Në fund, iu takon deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës,  të cilët përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës,  që të marrin vendimin e merituar për FSK-në, respektivisht ushtrinë e Kosovës.

Ndërsa unë si president i vendit, jam i bindur se deputetët e Kosovës nuk do ta lënë Kosovën pa ushtri, sepse ky është vullneti  i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.